MENU
klinika

New York Times

Disa mësime nga rusët për Amerikën…

16.02.2019 - 15:08

Tridhjetë vjet më parë, sovjetikët u tërhoqën, por paqe nuk pati. Le të shpresojmë se këtë here do të ketë…

Që kur trupat e para shkuan në Afganistan në dhjetor të vitit 1979, Bashkimi Sovjetik ishte përpjekur të ndihmonte qeverinë socialiste në Kabul të luftonte kundër kryengritësve, më të cilët ndihmoheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite. Edhe Kina po ashtu.

Në vitin 1989, Bashkimi Sovjetik i dha fund luftës në Afganistan.

Tridhjetë vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara duket se dëshirojnë të tërhiqen nga vendi pas një lufte brutale. Dhe Moska është edhe një herë duke u përfshirë në Afganistan, edhe pse kësaj radhe dëshiron të luajë paqebërësin: Në nëntor, Rusia organizoi bisedime midis talebanëve, Këshillit të Lartë të Paqes dhe përfaqësuesve të pushteteve rajonale. Më 4 shkurt, priti përfaqësuesit e talebanëve dhe grupe të tjera kundër qeverisë së Presidentit Ashraf Ghani për bisedime të mëtejshme.

Foto e marrë nga New York Times

Shtetet e Bashkuara, dhe Ghani, i shohin me dyshim përpjekjet e Moskës. Por, duke menduar për përvojën sovjetike mund të ndihmojë për të kuptuar se cilat janë opsionet për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Kjo përvojë vlen të merret parasysh pasi Shtetet e Bashkuara planifikojnë të tërhiqen nga Afganistani. Biseda për ta bërë Afganistanin një demokraci liberale është zhdukur, ashtu si ideja për ndërtimin e socializmit në vitin 1989. Por mbase ka ende shpresë…

Në vitet e fundit, Rusia ka marrë një rol më proaktiv në Afganistan.

Këtë herë, Rusia nuk është pjesë e luftimeve, por situata është e ngjashme: Siç thonë zyrtarët rusë haptazi, ata nuk besojnë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të jenë në gjendje të stabilizojnë Afganistanin.

Moska mund të mos i pëlqejë talebanëve, por zyrtarët rusë e shohin pjesëmarrjen e grupit në një qeveri të ardhshme si e vetmja mundësi reale për një paqe të qëndrueshme.

Foto e marrë nga New York Times

Arritja e një marrëveshjeje do të jetë e vështirë. Nga njëra anë, pozita e deklaruar e talebanëve është shumë e ngjashme me atë të muxhahidëve në vitet 1980: Ata duan që të gjitha forcat e huaja të hiqen dhe refuzojnë të njohin qeverinë në Kabul si legjitime.

Kritikët e luftës sovjetike shpesh thonë se populli i Afganistanit duhet të vendosë fatin e vet pa ndërhyrjen e të huajve. Kjo do të ishte e drejtë, por nuk ka gjasa të ndodhë.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe Kina, Irani, Pakistani dhe India, të gjithë shpresojnë të formësojnë të ardhmen e Afganistanit. Në 1989, një marrëveshje paqeje ishte një proces mjaft i vështirë. Atëherë rivalitetet, ambiciet dhe mosbesimi i vazhdueshëm mes fuqive të jashtme shkatërruan çfarëdo perspektive për paqe që ishte krijuar nga tërheqja sovjetike. Këtë herë,nuk duhet të ndodhë kështu.

Artemy Kalinovsky është lektor i lartë në Universitetin e Amsterdamit dhe autori, së fundmi, i “Laboratori i Zhvillimit Socialist: Politika e Luftës së Ftohtë dhe Dekolonizimi në Taxhikistanin Sovjetik”.