MENU
klinika

Vdiq para dënimit

Torturat çnjerëzore, si e vrau komunizmi pa lënë gjurmë

08.02.2019 - 20:30

I biri i Gjonit dhe Martës (emri i pagëzimit Zef ), lind në fshatin Shllak të Dukagjinit, Shkodër, më 22 tetor 1894, (sipas certifikatës nr.16/70, lëshuar nga gjendja civile e qytetit të Shkodrës, më 2.12.1991) në një familje me tre djem e një vajzë.

Bernardini është fëmija i parë. Një nga figurat më të ndritura të klerit françeskan. Mësimet e para e të mesme i merr në kolegjin françeskan në qytetin e Shkodrës, në 1917, ku del me rezultate të shkëlqyera. Diplomohet për filozofi e teologji në Grac, ku kishte kryer studimet edhe Mati Prennushi, ku gjithashtu doli me rezultate të shkëlqyera, ndaj e dërgojnë për vazhdimin e studimeve pranë Liceut Teologjik të Salsburgut, Austri.

Shugurohet meshtar më 2 gusht 1918. Shërben si profesor i latinishtes dhe i greqishtes së vjetër në gjimnazin «Illyricum» të fretërve, pastaj në famullinë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut.

Poet i shquar. Tani së fundi, në SHBA u botua një vëllim i tij. Iu kushtua poezisë e prozës. Në revistat “Hylli i Dritës”, “LEKA”, “Iliria”, Padër Palaj ka botuar krijimet e veta, artistikisht të përsosura, duke përdorur shpesh edhe pseudonimin “Constandinus”.

Duke falenderuar veçanërisht Agustin Mirakën për foton.

at benardin gjon pali-konica.al

U bë një ndër mitologët më të shquar shqiptarë; njëkohësisht, muzikant e pianist i talentuar. “Do të tërhiqem në një famulli atje lart, ndër malet aq të dashura për mua dhe, atje ku shpirti shqiptar ka mbetur ende i gjallë, do ta vazhdoj punën e nisur prej vitesh. Do të bëj kërkime historike, folklorike e sidomos mbi kanunin. Do të përsos e plotësoj në mënyrë sistematike rapsoditë që, me aq kujdes, i kam mbledhur prej kohësh”; ishte kjo dëshira dhe deklarimi i tij pas ngjarjeve politike të kohës së Zogut. Rrjedhojë e një pune voluminoze hulumtuese, studiuese e seleksionuese shumëvjeçare, në 1939 Padër Bernardin Palaj, së bashku me Padër Donat Kurtin botuan librin “Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, ndërkohë që botimin e këtij cikli kishin filluar ta bënin në “Visaret e kombit”, qysh në 1937. Në këtë vëllim prej 342 këngësh, fryt i një pune gati 40-vjeçare gjenden “Orët e Mujit”, “Martesa e Halilit”, “Ajkuna qan Omerin”, ”Gjergj Elez Alia”, që janë kryevepra të folklorit shqiptar, ballkanik, madje edhe të atij evropian. Në vitin 1942 filloi botimi i “Doke e kanune në Dukagjin“, që vijoi në disa numra të “Hyllit të Dritës” e, në vitin 1944, u botua në Romë. Gjatë vitit 1943, një pjesë e madhe u botua edhe në tekstet shkollore.

Pas vitit 1944 e shohin, sa në Shkodër, sa në Tiranë, ku shkonte të botonte punimet e tij shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare.

U quajt “njohësi më i thellë i maleve tona“ nga albanologia ruse, Denisckaja. Në vitin 1940, Padër Palaj ishte zgjedhur anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, përkrah Fishtës, Koliqit, Çabejt, Poradecit, Xhuvanit, Resulit, Gurakuqit, Toçit, etj. Mori pjesë në botimet e vëllimeve aq me vlerë “Studime dhe tekste”. Padër Bernardin Palaj, ashtu sikurse edhe Padër Martin Gjoka, ishte një pianist i shkëlqyer dhe një muzikant shumë i formuar. Por, ajo punë e madhe shkencore, e nisur që në vitin 1920, u ndërpre, sepse ashtu si pjesa më madhe e klerikëve katolikë, u godit nga regjimi komunist.

Në 1946, të dy klerikët shkencëtarë, Padër Bernardin Palaj dhe Padër Donat Kurti, u arrestuan në Shkodër. Vuajti tortura nga më çnjerëzoret. U akuzua si “agjent e bashkëpunëtor i të huajve“. U torturua keqas në burg, u var në pemë, u rrah me shufra hekuri. E lanë të lidhur duarsh me tel të ndryshkur për javë e javë, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanozi. Jetoi 51 vjet.

Ende sot është me varr të paditur. “Është detyrë e të gjithëve t’ia gjejmë eshtrat e t’ia varrosim diku me nderim. Madje, kjo nuk është dëshirë, por detyrë, sepse “gjithkush lind, ka të drejtë të ketë një djep e gjithkush vdes, ka të drejtë të ketë nji vorr”, por, a mund të bëhet kjo, edhe për sa e sa si Padër Bernardin Palaj?!

at benardin gjon pali-konica.al

…(dëshmi)…

Para se ta transferojshin, ndër shumë të tjera që kishte hjekë e ndigjue gjatë hetuesisë, na tregoi se si e “E kishin rrahur kaq shumë, gati në të vdekur e lënë shumë kohë atje nën shkallë, të braktisur midis qelbësirës… sa kishte humbur ndjenjat e qëndronte ashtu pezull, si një trup pa jetë…Ai vdiq nga tetanozi dhe e varrosën në oborr, pa lënë gjurmë.

Bashkëvuajtës Tomë Leci Dëshmi: kishte torturue e mundue Padër Bernardin Palajn, bash me duart e tij, komisari politik i Sigurimit, famëkeqi Nesti Kopali: ”Thuaj ky është Zoti im!” (për kuadrin e Enver Hoxhës).

Dhe ky i pergjigjej: “Jo, asht zotnija juej, pse Zoti jem asht ne qiell e ai nuk m’ka mesue me ba keq në këtë jete, por me i mesue e edukue njerëzit si të bajne mirë”.

Tue pa se kundërshtonte, ia përsëriste ate pyetje, tue e shoqnue me të rame, derisa lodhej ai vete. E atëherë kishte ndihmësit dhe ai s’mund të ishte kush tjetër, veç Elez Mesit, kampionit të torturave e të mizorive.

“I pajisur me ato cilësi që kërkon arti, i hapur ndaj të gjitha aspekteve të jetës, me ndjenjat më fisnike, intinuitiv e depërtues, me shije shumë të holla, veçanërisht me një ndjeshmëri muzikore shumë të rafinuar, Palaj, do të mund të arrinte majat më të larta të lavdisë letrare.”

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët