MENU
klinika

STOP!

Mos e mbani teshtimën! Ja nga çfarë rrezikoheni

04.02.2019 - 20:35

Nëse jeni gati duke teshtitur, mjekët rekomandojnë që ta nxirrni teshtimën.

Një 34-vjeçari nga Britania, emri i të cilit nuk bëhet i ditur iu desh të kalonte 2 javë në spital si pasojë e mbajtjes së teshtimës.

Raportohet se i riu mbylli hundë dhe gojë në mënyrë që të mbante teshtimën. Fillimisht ai pati një ndjesi shpërthyese në qafë, megjithatë nuk vërejti asnjë problem për momentin. Por, brenda pak orësh filloi të ndiejë dhimbje në fyt dhe qafë. Pasi filloi të ënjtej qafa dhe t’i ngjirej zëri, vendosi të shkojë në spital.

Mjekët zbuluan se duke u përpjekur të mbajë teshtimën, 34-vjeçari përfundoi me një vrimë të vogël në qafë. Fatmirësisht ishte aq e vogël sa nuk kishte nevojë për operacion, megjithatë një veprim i tillë është i rrezikshëm.

Duhet të dini se kur teshtini, janë reflekset mbrojtëse të trupit që duan të nxjerrin një ngacmues (virus apo bakter) të mbetur në hundë. Me teshtimën krijohet një presion i madh i ajrit në mushkëri, i cili del me një forcë të madhe për të nxjerrë nga hundët ngacmuesit e mbetur në të. Teshtima shtyn stërpikat e mukozës në një shpejtësi prej 100 milje në orë.

Nëse e mbani teshtimën, ky presion i ajrit duhet të shkojë diku. Në rastin e 34-vjeçarit, iu dëmtuan indet e fytit, prandaj tregohuni më të kujdesshëm.

[Burimi: CNN]