MENU
klinika

Poeti romantik

Nazim Hikmet / legjenda e letërsisë turke

14.02.2019 - 14:30

Më e bukura e deteve

Më e bukura e deteve

Është ajo që ende nuk kemi lundruar

Më e bukura e fëmijëve tanë

Nuk është rritur ende

Më të bukurën e ditëve tona

Ende nuk e kemi jetuar

Dhe atë

Që do doja të të thoja si më të bukurën

Nuk ta kam thënë ende.

 Nazim Hikmet është një nga poetët më të admiruar në mbarë botën falë poezive të tij të dashurisë. Fuqia e poezisë së tij arrin drejt e në zemër. Gjithë jetën ia kushtoi poezisë, pasi aty gjeti qetësinë, prehjen, frymëzimin, edhe pse autorit iu desh të shkruante në rrethana dhe situata të vështira.

Nazim Hikmeti lindi më 1902 në Selanik. Djali i një zyrtari të qeverisë osmane, Nazim Hikmet u rrit në Anadoll, pasi mori pjesë në Akademinë Detare Turke, ai studioi ekonomi dhe shkencë politike në Universitetin e Moskës. Për shkak të bindjeve të tij politike, arrestohet shumë herë, duke e kaluar një pjesë të madhe të jetës në burgje të ndryshme.

Jo rrallëherë është etiketuar si komunist romantik apo edhe revolucionar romantik, epitete të cilat përshkruajnë karakterin e tij rebelues, i cili asnjëherë nuk u pajtua me rrethanat, si rrjedhojë shpërthen përmes vargut të tij lirik, duke e shndërruar poezinë në një mjet kundërshtimi. Për këtë arsye poezia e tij ndalohet në Turqi, censurohet, çka e çon autorin të emigrojë, si dhe të heqë dorë edhe nga nënshtetësia turke.

Përmes vargjeve të poezisë vërehet dëshira e madhe e autorit, që idealin e tij t’ia përcjellë gjeneratave të reja, t’i mbush ata me dëshirën e revolucionarizmit e të mos i nënshtrohen askujt ndaj gjithçkaje që bie ndesh me aspiratat e tyre.

Shkrimtari e kaloi një pjesë të mirë të jetës në burg, prej nga me të afërmit kontaktonte përmes letrave dhe nuk ndalet asnjëherë së shkruari poezi. Në një nga letrat e tij ai shprehet: “Edhe nëse vdes me këtë fat që kam, deri në frymën e fundit do të jetoj me shpresë”.

Nazim Hikmet është poeti më i rëndësishëm turk i shekullit të njëzet, i kujtuar kryesisht për kryeveprën e tij, koleksionin “Poezi dashurie”, që dëshmon angazhimin e tij të madh shoqëror dhe ndjenjën e tij të thellë poetike. Poezitë e tij janë të dashura në të gjithë botën, pasi falë gjuhës së thjeshtë të “gjërave të vogla” ato arrijnë të depërtojnë deri në skutat më të errëta të shpirit.

Pëlqej tek ty

Pëlqej tek ty

aventurën e varkës që shkon drejt polit

Pëlqej tek ty

guximin e njerëzve të zbulimeve të mëdha

Pëlqej tek ty gjërat e largëta

Pëlqej tek ty të pamundshmen

futem në sytë e tu si në një pyll

plot dritë

dhe i djersitur, i uritur, i furishëm

kam pasionin e gjuetarit

Pëlqej tek ty të pamundurën

por jo dëshpërimin.

 

 Polemikë

Ti sheh veç horizontin që shndritet

unë dhe natën e shoh

ti nuk sheh gjë tjetër veç natës

unë dhe horizontin që shndritet.

 Hikmeti është një prej atyre poetëve që vetëm i shtojnë lexuesit dhe admiruesit e tyre në përjetësi. Ai është turk, europian dhe njëherazi botëror. Bashkëkohor dhe i gjithëkohshëm. I vdekshëm dhe i pavdekshëm. Një fenomen i mirëfilltë letrar i shekullit të njëzet, fatin e të cilit e përcaktoi në njëfarë mënyre jeta e tij e trazuar prej rebeli, kërkuesi dhe humanisti të madh.

Zotërimi i gjuhës dhe futja e vargut të lirë, si dhe një gamë e gjerë temash poetike ndikuan fuqimisht letërsinë turke në fund të viteve 1930. Pas njohjes së hershme me poemat e tij patriotike në vargje të lira, në Moskë iu nënshtyrua ndikimit të futuristëve rusë. Edhe pse i censuruar më parë, pas vdekjes, në vitin 1963, veprat e tij u botuan dhe u lexuan gjerësisht, duke u shndërruar në një poet i popullit dhe një hero revolucionar i të majtës turke. Shumë prej veprave të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.

Dua

Jam midis njerëzve

dua njerëzit

dua veprimin

dua mendimin

dua luftën time

je një qenie njerëzore

në luftën time

të dua.

Autori e do gjithçka me pasion: lirinë, atdheun e tij, popullin dhe gratë, shndërrohet gjeni në mërgim të avangardës turke. Me stilin dhe idealet që ai përcolli, Nazim Hikmet ka ndikuar tek shumë shkrimtarë bashkëkohorë turq, krysisht nga aftësia e rrallë për imazhet intensive poetike.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe