MENU

Nga Adam Kirsch

Herman Hesse – shpirti i bukur i letërsisë

22.11.2018 - 10:10

Tregimet e Hesse apelojnë të rinjtë, sepse u besojnë emocioneve të fuqishme të adoleshencës, të cilat shumica e të rriturve i harrojnë me kalimin e viteve.

“S’ka dyshim, se pse Hese mbetet i parapëlqyer edhe në ditët e sotme”. Vlerësimi therës për romancierin Herman Hesse, cituar në faqet e para të biografisë së Gunnar Decker, “Hesse: Endacaku dhe hija e tij” ( Harvard), u shfaq në një nekrologji në vitin 1962, por duket sikur ka ndodhur dje, sikurse njëqind vjet më parë.

Që me botimin e romanit të parë, në 1904, Hesse ka qenë nga ata shkrimtarë të çuditshëm, që ia ka dalë mbanë të jetë edhe kanonik. Në vitin 1946 fitoi çmimin Nobel në Letërsi, megjithëse thuajse gjithmonë kritikët e kanë konsideruar si jashë mode.

Modernisët e mëdhenj gjermanë, bashkëkohësit e tij e përçmonin si: “Një njeri i vogël”, – sipas poetit Gottfried Benn; “Krekoset më shumë se ç’është në të vërtetë”, – shprehej romancieri Robert Musil.

Në Amerikën e sotme, Hesse konsiderohet përgjithësisht si shkrimtar për adoleshentët. Pëlqimi i tij është një shenjë e mirë në të pesëmbëdhjetat, një e keqe kur mbush të njëzetat.

Për shumë lexues, romanet e Hesse janë proza artistike më serioze që hasim, një ilaç letrar…[…].

Gjithsesi, lexuesit e rinj të Hesse, atëherë dhe tani, nuk gaboheshin kur mendonin se ai u drejtohej atyre drejtpërdrejt. Ai apelon të rinjtë, sepse ata u besojnë emocioneve të fuqishme të adoleshencës, të cilat shumica e të rriturve i harrojnë gjatë procesit të rritjes: lëndimet, ekzaltimin, kërkesat superiore për jetën.

Emil Sinclair i ri, narratori i “Demian”, është një shembull i mirë i vetëseriozitetit totalisht joironik të Hesse: “Kam qenë dhe mbetem kërkues, por kam hequr dorë nga ëndrrat me sy hapur dhe librat.

Kam filluar të dëgjoj mësimet që më pëshpërit jeta. Historia ime nuk është e këndshme; ajo nuk është as e ëmbël, as e harmonishme, siç janë historitë e trilluara; ajo ka shijen e marrëzirave dhe kaosit, të çmendurisë dhe të ëndrrave, si jeta e gjithkujt që qëndron me këmbë në tokë”.

Shumë të rinj, në veçanti, shohin pasqyrimin e tyre magjepsës tek heroi tipik i Hesse, një njeri i ndjeshëm dhe konfus, i cili e ka të vështirë të pozicionohet në shoqërinë e zakonshme.

Ky model mund të jetojë në Indi në epokën e Budës, si Sidarta, ose në Gjermani në Epokën e Xhazit, si Harry Haller, ose në Mesjetë, si Goldmund tek “Narcisi dhe Goldmundi”.

Cilado qoftë vendndodhja, itinerari i tij paraqet të njëjtat pika referimi. Largohet nga mjedisi i fëmijërisë dhe dërgohet në një shkollë elitë, ku do të vuajë thellësisht.

Do rebelohet kundër ideve konvencionale të suksesit dhe refuzon të ndjekë çfarëdolloj karriere, duke kombinuar lëvizjen në rënie me përpjekjet shpirtërore.

Shpesh, si Peter Camenzind, ai do t’i kthehet pijes, duke gjetur atje një ngushëllim shpirtëror. “Perëndia e verës më do dhe më tundon të pi vetëm kur shpirti i tij dhe imi hyjnë në dialog miqësor”, – shprehet Peter.

Meqenëse heroi i Hesses zë një pozicion të pasigurt jashtë shoqërisë njerëzore, ai është njëkohësisht tejet arrogant – Sidarta u referohet qenieve njerëzore që e rrethojnë si “foshnjërakë” – dhe këmbëngulës.

Nuk është habi që u kushton kaq shumë rëndësi mendimeve vetëvrasëse, pavarësisht nëse e kryen atë apo jo.

Sepse, siç shpjegon Hesse në “Ujku i stepave”, “të quash vetëvrasje vetëm ata që në fakt shkatërrojnë veten është e gabuar… E veçanta e vetëvrasjes është se egoja e tij, me të drejtë ose pa të të drejtë, ndihet si një embrion jashtëzakonisht i rrezikshëm, i dyshimtë dhe i dënuar, i natyrës, sepse ndjehet gjithmonë i ekspozuar ndaj një rreziku të jashtëzakonshëm”.

Biografia e Decker tregon se jeta e Hesses ishte një kompromis i pakëndshëm mes absolutizmit shpirtëror, i cili e shtyu drejt izolimit të hidhur dhe nevojave njerëzore, të cilat e rëndojnë me gra, fëmijë dhe shtëpi, që ai kurrë nuk donte apo pranonte.

I martuar tri herë, ishte i pakënaqur si burrë dhe si baba, madje personazhet e librave u largohen këtyre dy roleve. Romani i fundit: “The Glass Bead Game”, është një fantazi futuriste për një akademi studiuesish, të cilët janë të gjithë meshkuj dhe të gjithë beqarë.

Nuk është çudi se pse Hesse mbetet i harmonizuar tek adoleshenca, pasi adoleshenca ishte periudha më dramatike dhe më e rëndësishme e jetës së tij.

Në atë periudhë, Hesse u detyrua të përballet me peshën e institucioneve që shkonin kundër tij – familjes, kishës, shkollës, shoqërisë – dhe luftonin në emër të mbrojtjes së individualitetit të tij.

Ai fitoi, por jo pa lënë gjurmë të thella; në një farë kuptimi, letërsia artistike ishte një fitore e kësaj beteje primitive.

Që në moshë të re pati mospërputhje me familjen. Lindi në vitin 1877 në Calw, një qytet i vogël në Black Forest, në Gjermaninë jugperëndimore, ku babai dhe gjyshi punonin së bashku në një shtëpi botuese të krishterë.

Rridhte nga Pietistë të devotshëm, anëtarë të një sekti protestant gjerman që, si Metodistët në Angli, e kundërshtoi kishën e themeluar në favor të një përpjekjeje të zjarrtë shpirtërore dhe të zjarrtë për virtyt.

Në fjalët e Deckerit pietizmi “konsiderohet si puna e djallit, gjithçka që nuk i shërbeu qëllimit përfundimtar të përgatitjes së një mbretërie të Perëndisë në të ardhmen”.

Tensionet shpërthyen në vitin 1891, kur Hesse katërmbëdhjetëvjeçar u regjistrua në Manastirin Maulbron, një shkollë shtetërore elitare me konvikt vendosur në një abaci mesjetare; misioni i saj ishte të rekrutonte djemtë më të zgjuar të rajonit dhe t’i kthente në pastorë luteranë.

Futja në Maulbronn kërkoi kalimin e një provimi rraskapitës, një eksperiencë që la gjurmë të thella tek Hesse, të cilën e hasim në disa romane.

Në të vërtetë, shumë nga librat e tij nuk janë vetëm romane edukuese – Bildungsroman, që ka qenë një zhanër klasik i letërsisë evropiane nga koha e Gëtes – por kryesisht romane për lexime shkollore.

Secili prej konvikteve në Maulbron, për shembull, kishte një emër madhështor; Hessi jetonte në Hellas, një homazh për idhujtarinë tradicionale të shkollës së Greqisë së lashtë.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, u rikthye të kujtonte ditët e shkollës në romanin “Nën Rrotë”, personazhi kryesor shkon në një shkollë të atillë dhe jeton në një konvikt të quajtur Hellas.

Dhe tridhjetë e shtatë vjet më pas, në “The Glass Bead Game”, Hesse tregon historinë e Joseph Knecht, i cili sërish jeton në një konvikt të quajtur Hellas.

Edhe pse Hese ishte një shtetas gjerman, ai ishte banor i Zvicrës, prej nga vërejti temperaturat e luftës që e infektuan Gjermaninë nga një distancë ironike. (Doli vullnetar për ushtrinë gjermane, por u refuzua për shkak të shikimit të dobët, rezultat i një aksidenti fishekzjarresh gjatë fëmijërisë).

Në fillim të luftës, Hesse botoi një ese në të cilën, edhe pse shpresonte për fitoren e gjermanëve, këmbëngulnte tek nevoja e ruajtjes së vlerave njerëzore dhe komunikimin midis kombeve.

“Kjo luftë katastrofike botërore duhet të shërbejë për të ngulitur tek gjithsecili, me më shumë forcë se ngaherë, perceptimin se dashuria është më e mirë se urrejtja”, – shkruante.

Nazizmi, me sakrificën e gjakut të individit ndaj shtetit dhe racës, përfaqësonte të kundërtën e çdo gjëje në të cilën besonte. Megjithatë, edhe pse ai priti dhe ndihmoi shumë shkrimtarë emigrantë, përfshirë Tomas Manin, një mik i mirë i tij, Hesse kurrë nuk e radhiti veten në politikën antinaziste. Decker thekson se në vitet 1930, ai bëri një deklaratë të rezistencës, duke rishikuar dhe publikuar punën e autorëve të ndaluar hebrenj, duke përfshirë Kafkën. Por, ç’është e vërteta, librat e tij nuk u ndaluan nga nazistët deri në vitin 1943.

Ishte Tomas Mani, i cili, në fund të Luftës së Parë Botërore, botoi një libër të titulluar: “Reflektime të një burri jo-politik”, edhe pse titulli do t’i shkonte shumë për shtat Hesses, për të cilin parimi kryesor ishte të ishte apolitik.

“Në fund të fundit, nëse bota dhe uni janë iluzione, është e çuditshme të besohet se mund të minohet gjithë veprimtaria e ndyrë, duke u përpjekur pas pushtetit dhe epërsisë politike”.

Qëndrimi ndaj politikës dhe historisë është karakteristikë për faktin që Hegeli quajti “shpirt i bukur” – atë që mbetet i paqëndrueshëm nga bota, sepse ai nuk pranon të angazhohet me të.

Fraza u shpik nga Gëte, i cili e përdori për herë të parë në “Rrëfimet e një shpirti të bukur”, një kujtim imagjinar, në të cilin një fisnik pietist përshkruan gjendjen e tij shpirtërore.

Hesse, në analogji, mund të quhet një shpirt i shëmtuar, një shpirt tejet i zënë me trazimet e tij shpirtërore, që bota e jashtme vështirë se i bën përshtypje.

Mund të shërbejë po ashtu edhe si mesazh për lexuesit e rinj, të cilët rrallë shohin përtej kufijve të vetes.

Por integriteti i plotë i absorbimit të Hesses mbetet fakti që garanton vazhdimësinë e punës së tij. Për sa kohë që njerëzit luftojnë me nevojën për të akoma më mirë se sa të jesh një shkrimtar i madh.

(marrë nga The New Yorker)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN