MENU
klinika

Nga Entela Binjaku

Ndal bullizmit, pro sjelljeve miqësore!

12.02.2019 - 18:05

Në njohjen tonë si sociologë shqiptarë bullizmi është nga dukuritë e reja. Edhe pse ka ekzistuar prej brezash dhe ka njohur forma nga më të ndryshmet, tek ne për shumë kohë njerëzit e shmangnin trajtimin e bullizmit (siç është tallja, vënia në lojë, kërcënimi, turpërimi, ngacmimi etj). Në rastet kur ushtrohej nga fëmijët tek bashkëmoshatarët e tyre,  kalonte në heshtje edhe pse linte gjurmët e veta në jetën e tyre si të rritur.

Bashkimi Evropian, ku shteti shqiptar pret të hapë negociatat,  ka ndërmarrë fushatën: “ABC Europe’s AntiBullying Campaign, me projektin “I Am Not Scared”. Në këtë nismë janë bashkuar shumë projekte që kanë të gjitha të njëjtin qëllim: luftën e ashpër ndaj kësaj dukurie serioze. Në raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, për vitin 2018 theksohet fakti se rreth 70% e fëmijëve nga mosha 8-11 vjeç kanë raportuar se kanë qenë subjekt i dhunës fizike, ndërsa 58% e fëmijëve të anketuar janë pjesë ose dëshmitarë të dhunës në familje dhe 1 në 5 fëmijë janë subjekt i ngacmimit në shkolla si dhe  numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar të integruar në arsim është ende shumë i ulët. Në shkollat tona ka fëmijë që jetojnë dramën që krijon dhuna,  duke heshtur, siç ka edhe fëmijë që thyejnë heshtjen dhe flasin  për atë që përjetojnë çdo ditë. Shqetësimi ynë është se ka shumë të tjerë që nuk thonë asgjë. Thyerja e heshtjes dhe komunikimi rreth kësaj dukurie, është një hap që u vjen në ndihmë fëmijëve.

Mbi këtë ide disa ditë më parë në mjediset e shkollës: “100 Vjetori i Pavarësisë” në Zhupan të Fierit u zhvillua takimi me titull: “Stop bullizmit-pro sjelljeve miqësore”.  Në qendër të takimit ishin nxënësit e kësaj shkolle të ciklit 9-vjeçar, e cila dallon për një specifikë të saj siç është prania e nxënësve nga komuniteti rom dhe jo rom. Shkolla ka rreth 300 nxënës dhe kjo e rendit atë në frontin e shkollave të mëdha të qytetit, nisur nga numri i lartë krahasuar edhe me dukurinë e bjerrjes së numrit të nxënësve në fshtatrat shqiptarë si dhe krahasuar me numrin 16 të shkollave të mbyllura në këtë qark për shkak të numrit të ulët të fëmijëve frekuentues.  Në trofetë  e saj numërohen shumë pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme të nxënësve nga ku ata kanë dalë edhe me vlerësime të vendeve të nderit.  Në takimin me nxënësit, në prani të drejtoreshës Mirela Pashollari dhe disa prej mësuesve të shkollës, nxënësit shpalosën të gjitha shqetësimet e tyre, botën mendore, prirjet dhe pasionet ku ata shihnin veten në të ardhmen etj. Ajo që binte në sy ishte lirshmëria në komunikim  dhe arsyetim, fjalori i pasur, mungesa e drojës dhe shpejtësia në dhënien e përgjigjeve.

Shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme në shoqëri. Është institucioni të cilit shoqëria i ka besuar edukimin e saj. Por shpesh ndodh që dhuna që fëmijët përjetojnë nga bashkëmoshatarët e tyre në shkolla i bën ata të humbin dëshirën për të mësuar, të bien nga mësimet,  refuzojnë  të shkojnë në shkollë, nuk hapen me mësuesit, nuk pranojnë këshilla, ndjehen të lënë mënjanë, humbin interesin dhe parapelqejnë të izolohen, vuajnë në heshtje talljen dhe nuk kanë kurajo ta flasin atë, etj.

Në këtë takim me nxënësit e kësaj shkolle u bisedua edhe rreth ndikimit të teknologjisë në jetën e fëmijëve, betejës së brendshme që ata bëjnë me tundimin për të kaluar sa më pak orë duke lundruar në internet. Në këtë kuadër u diskutua mbi format e reja të bullizmit në internet.  Format e shprehjes janë të ndryshme: përmes intimidimit, bisedave në grupe që vënë në lojë dikë që lihet mënjanë, talljes ose shantazhimit me shkelje të privatësisë, përdorimit të fotove apo materialeve të tjera vizive etj.

Si veprim bullizimi është një veprim presioni, intimidimi, agresiviteti që përsëritet ndaj një individi dhe që shoqërohet me heshtjen apo miratimin e një tjetri mbi të cilin ushtrohet. Këto veprime kryhen në ndërgjegje të plotë dhe në dijeni të asaj që po kryejnë.

Të dyja gjinitë preken njëlloj. Mosha më e rrezikuar është ajo e fillimit adoleshencës që përkon me ndryshime të rëndësishme ne jetën e fëmijëve. Zakonisht ata që ushtrojnë dhunën ndjejnë nevojën të mbizotërojnë, nuk kontrollojnë impulset, kanë vetëkontroll të ulët, nuk pranojnë kufizimet apo rregullat sociale, kanë një mendim të ekzagjeruar për veten, shqetësohen për reputacionin e tyre dhe kërkojnë mbështetës të heshtur.  Ata që bien në kurth herë e bëjnë këtë për shkak të turpit, herë për shkak se ndjehen fajtorë, herë se kanë frikë zemërimin,  herë falë paaftësisë për të vepruar.

Kjo paaftësi vjen si pasojë e vlerësimit të ulët për veten, vështirësive emocionale apo të përshtatjes, probleme të integrimit që lidhen me origjinën e familjes, probleme psiko-motore etj.  Ekspertiza e psikologëve në shkollat tona është e pamjaftueshme, minutat e kësaj ekspertize në dispozion të fëmijëve janë thuajse minimale (aty ku janë). Ndaj një ekspertizë më e pranishme, më e shpeshtë e psikologut dhe punonjësit social, informimi i duhur i prindërve,  rritja e vëmendjes nga ana e secilit prej tyre, fushatat kombëtare ku prindërit të punojnë bashkë me mësuesit do të ishin disa nga sugjerimet për një betejë të suksesshme me këtë dukuri.  Çelësi për këtë është komunikimi, e folura hapur për këtë dukuri, për pasojat që ajo sjell, jo vetëm në jetën e nxënësve por edhe për të gjitha raportet e fëmijës më të tjerë, e folura për pasojat ndëshkuese etj.

Në moshën e adoleshencës shumë nga këto tipare janë mjaft të shprehura dhe nisur edhe nga veçoritë e kësaj grup-moshe komunikimi më i shpeshtë, i vazhdueshëm që të kthehet në një normë për shkollat tona, do t’u vinte mjaft në ndihmë nxënësve, mësuesve në punën e tyre, familjeve dhe gjithë shoqërisë. Takimi me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “100 Vjetori i Pavarësisë” solli pikërisht këtë mësim: aty ku ka komunikim të ngrohtë, asnjë nuk ndjehet i dobët dhe i shpërfillur dhe vlerësimi për atë që shkolla jep, është afatgjatë dhe i shumëdëshiruar.