Në fakt nuk kanë qenë të pakët ata që mendonin se tani që Merkel dha dorëheqjen si Kryetare e CDU, duke qartësuar që ky do të jetë mandati i fundit si kancelare, do të të ndiqte një politikë të qetë, pa shumë komplikacione, bile duke filluar të hidhte bozat e para të kujtimeve.
Por për habinë e të gjithëve Merkel, siç konstatonte me kënaqësi edhe media gjermane, po demonstron në këtë moment mjaft të vështirë për Europën një lidership që nuk ia kishin parë pothuajse në 10 vitet e saj më të mira si kancelare. Janë një sërë veprimesh të saj, që demonstrojnë këtë vizion politik të klasit të parë, si udhëheqëse e vendit më të rëndësishëm europian, nga politika e të cilit varet shumë e ardhmja e gjithë Europës.
Dalja e Britanisë së Madhe mbas Brexit, si e vetmja kundërbalancuese e potencës së Gjermanisë, e la këtë të fundit tashmë lidere absolute, pasi asnjë aleancë tjetër brenda BE nuk mund të vërë në dyshim rolin e saj udhëheqës.
Të gjithë tashmë e kanë të qartë se kush do ta udhëheqë përfundimisht Europën.
Mbasi blindoi aksin franko-gjerman, me Traktatin e Aquisgranës, Merkel e ka të qartë se nuk mund të shikojë vetëm nga një krah i Europës, asaj perëndimore. Sepse në lindje nga Grupi i Vishegradit arrijnë kërcënimet kryesore të vizionit të saj për Europën.
Europa Lindore, që aktualisht është një problem shumëdimensional, kërkon një lloj Ostpolitikë të re.
Me Ostpolitikë definohet politika e ndjekur nga ish-Kancelari gjerman, Willy Brandt, që në vitet ’70, projektoi një qasje të re politike me RDGJ dhe Europën Lindore, që në atë kohë ishte pjesë e Traktatit të Varshavës dhe KNER-it.
Ishte një politikë shumë inovative për kohën, dhe që çoi në një zbutje graduale të tensioneve në mes të Luftës së Ftohtë. Megjithëse kjo politikë nuk u prit me shumë entuziazëm në Europën Perëndimore, pasi konfirmonte për herë të parë pas luftës, autonominë gjermane në politikën e saj, ajo shërbeu pozitivisht në detantën midis dy blloqeve dhe Willy Brand, u vlerësua për këtë poitikë me çmimin Nobel në 1971.
Natyrisht që situata nuk është e njëjtë me vitet 70, dhe që kërkon një Ostpolitikë të atyre dimensioneve, por edhe kaq e lehtë sa duket nuk është. Të ashtuquajturat vende të Vishegradit së bashku edhe me ato Baltike, kanë akumuluar shumë pakënaqësi ndaj Europës së “vjetër”, dhe në mënyrë të veçantë me Gjermaninë, duke ndjekur tashmë një politikë konfrontuese.
Pikërisht në këtë moment Merkel vendosi të marrë iniciativën. Javën e shkuar ajo përfundojë një vizitë në Bratislavë ku zhvilloi një samit me vendet e Vishegradit. Vetë formati Gjermani-Vishengrad flet qartë për rolin e ri tashmë udhëheqës të Gjermanisë në Europë.
Vendet e Vishegradit të përbërë nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia, të “udhëhequra” nga Orban janë një problem për Gjermaninë, jo shumë nga pikëpamja ekonomike, pasi Europa Lindore është shumë e integruar me atë gjermane në planin tregtar dhe industrial.
Por në planin politik e strategjik që krahu lindor i Europës ka ide të kundërta me atë të Gjermanisë. Kjo fillon me atë të planit të rregullave europiane, në veçanti atë të emigracionit, dhe shkon deri tek politika energjetike që kundërshtojnë politikën e Merkel, sidomos ndaj gazsjellësit Nord-Stream 2.
Merkel e ka të qartë se që të ketë sukses në lidershipin e saj europian, por edhe për interesat ekonomike, politike të Gjermanisë ka nevojë të hapë një spirale, me këto vende.
Për këtë, samiti i Bratislavës shërbeu për të qartësuar një sërë problemesh, por mbi të gjitha për t’iu shtrirë dorën këtyre vendeve rebele, duke synuar që të rikuperojnë marrëdhëniet edhe në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, ku partia e Merkel dhe ajo e Orban janë në grupin e PPE dhe nevojitet shumë për aleancat paszgjedhore.
Pika kyçe e kontradiktave midis Berlinit dhe Visheradit ngelet ajo e emigrantëve. Europa Lindore nuk pranon rishpërndarjen e emigrantëve sipas kuotave të fiksuara në Bruksel dhe ka blinduar kufijtë e saj. Madje kanë demonstruar se janë gati për çdo lloj përplasjeje me Brukselin. Merkel e di se kjo është një pikë e dobët dhe nga zgjidhje e saj mund t’i kthejë këto vende në krahun e saj.
Kështu Merkel arriti në Bratislavë me një manovër diplomatike. Nga njëra anë arriti t’i bindë dy liderat më problematikë, atë të Polonisë, Morawiecki dhe Orbanin e Hungarisë, në ngritjen e një mekanizmi europian për të administruar fenomenin e emigracionit. Nga ana tjetër arriti t’iu marrë një marrëveshje, ku 4 vendet e Vishengradit dhe Gjermania do të mbështesin Marokun, duke e financuar atë në administrimin e fluksit emigrator. Deri tani Maroku ka negociuar vetëm me Spanjën, por pa rezultate, por siç duket Gjermania ka arritur ta bindë.
Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme, pasi bën për herë të parë një pakt me një vend të tretë, i cili do të angazhohet, për të bllokuar fluksin emigrator drejt Europës, dhe që për herë të parë bie dakord edhe Vishengradi.
Pika e dytë është politika energjetike dhe marrëdhëniet e veçanta të Gjermanisë me Rusinë.
Në fakt të vetmin lider botëror, që Putini “dëgjon”, janë presidenti kinez Xi Jiping dhe pikërisht kancelaren Merkel.
Merkel, këtë kapital jo të vogël, është munduar ta shfrytëzojë, me shumë mjeshtëri, që nga paqja e Minskut, ku e bindi Putinin për të ndaluar operacionet në Ukrainën Lindore, dhe deri për një sërë marrëveshje ekonomike jashtëzakonisht fitimprurëse për ekonominë gjermane, dhe këtu hyn edhe Nord Stream 2. Gjithashtu Merkel mundohet t’i shrfytëzojë marrëdhëniet me Putinin, për të dalë edhe nga kudhra Trump-Putin, që synon ridimensionimin e rolit të Europës.
Me gjithë kundërshtimin e gjithë vendeve të Europës Lindore, madje edhe me një ndryshim pozicioni të Francës, Merkel është e vendosur në ndërtimin e tij për ta kthyer Gjermaninë në portën kryesore të gazit në Europë, një biznes miliarda eurosh por që edhe garanton sigurinë energjetike gjermane.
Merkel iu dha garanci në Bratislavë se Gjermania nuk do të varet vetëm nga gazi rus dhe se do të garantojë vazhdimin e tranzitin nëpërmjet Ukrainës dhe vendeve të Vishengradit, pasi këta nuk kanë thjesht vetëm arsye politike, ose që janë shumë të shqetësuar për Ukrainën, por në radhë të parë nga devijimi tranzitin në Nord Stream humbin vetë qindra milione euro në vit.
Është pak e vështirë që t’i bindësh gjermanët se këto përfitime, që tashmë nga Nord Stream-2, do t’i marrin kompanitë gjermane, t’iua dhurojnë vendeve të Vishengradit, për arsye politike.
Sidoqoftë, Merkel i arriti të gjitha objektivat e saj në Samitin e Bratislavës, duke konfirmuar hapin e parë të suksesshëm të “Ostpolitikes” së saj të re.
Dhe janë pikërisht këto veprime, kjo lloj politike, që mund ta kthejë Berlinin në kryeqytetin politik të Europës së këtij shekulli, pasi statusin e kryeqytetit ekonomik ai ka kohë që e ka fituar.