Kur na ndajnë pak ditë nga protesta e opozitës në 16 shkurt, Policia e Shtetit i ka bërë apel forcave politike të shmangin retorikat të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.
Gjithashtu policia kërkon nga qytetarët që nuk kanë lidhje me protestën që të shmangin lëvizjet në vendin ku do zhvillohet tubimi.
“Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”- thuhet ndër të tjera nga Policia e Shtetit.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.
Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.
Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.
Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë.