MENU
klinika

Zakone të vjetra

Pse në Shqipërinë e hershme, nuk festoheshin ditëlindjet e vajzave?

09.02.2019 - 14:07

Shumica e shqiptarëve në shoqërinë tradicionale, madje deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, nuk e festonin fare ditëlinjden, ose e festonin përgjithësisht me ceremoni familjare fare modeste.

Festohej ditëlindja e fëmijëve të vegjël, më shpesh e djemve. Sidomos ndër muslimanët, kur vajza i afrohej moshës së pubertetit, jo vetëm nuk i festohej ditëlindja, por as nuk përmendej data e lindjes së saj.

Në vitet e regjimit socialist totalitar (1946-1990) u masivizua dhe u zyrtarizua disi festimi i ditëlinjdes. Festohej më shpesh, ndonëse me ceremoni modeste, ditëlindja e ndonjë shoku ose shoqeje të klasës në shkollën tetëvjeçare.

Shokët e klasës mblidhnin pak para dhe i blinin nxënësit që kishte ditëlindjen një dhuratë modeste. Në mënyrë sintetike, këto dhurata modeste shprehnin nivelin e ulët ekonomik të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare.

datelindje
datelindje

Në kolektivat e punonjësve rrallë festohej disi zyrtarisht datëlindja e ndonjë punëtori të dalluar. Edhe në festime të tilla dhuratat përgjithësisht ishin modeste.

Prirjet e kuadrove drejtuese të të gjithë niveleve për ta festuar ditëlindjen me ceremoni publike disi të zgjeruara, shiheshin me dyshim nga strukturat drejtuese partiako-shtetërore më të larta.

Në vitin 1956 në ish-Bashkimin Sovjetik u dënua kulti i individit të Stalinit. Kjo frymë u reflektua edhe në shoqërinë shqiptare. Në ato vite festohej me ceremoni zyrtare vetëm ditëlindja e udhëheqësit kryesor të partisë e të shtetit.

Nën zë, sidomos në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980, ndër banorët më të hershëm të Tiranës qarkullonin mendësitë: “Vetëm ai që është në krye nuk shihet si karrierist sepse nuk ka shkallë për të ngjitur”, “ajo që i lejohet atij që është në krye nuk i lejohet të tjerëve që janë poshtë tij”, “në vendin tonë nderimet shkojnë vetëm për atë që është në qendër, të tjerët përreth tij vetëm duhet të duartrokasin”.

Në rrjedhën e proceseve demokratike postotalitare, që nga fillimi i viteve 1990, shoqëria shqiptare u diferencua me ritme të shpejta.

Veçanërisht biznesmenët që u pasuruan shpejt dhe politikanët që i ngjitën shpejt shkallët e karrierës, filluan të festojnë ditëlindjet me ceremoni pompoze, që organizoheshin dhe akoma organizohen në lokalet më luksoze.