Pasi vizituam xhaminë e Ejup Sulltanit morëm teleferikun për t’u ngjitur në majën e kodrës “Pier Loti”.
Për afro 1.6 km gondola e teleferikut ku qendronim ne, fluturonte mbi mermerin e bardhë të varreve, të cilat janë ngjitur sup më sup me njëri-tjetrin.
Në majë të kodrës kishte një kompleks ëmbëltoresh dhe bar-kafesh, të mbushur plot me njerëz. Ndër ta shikoje edhe nuse me vello, të shoqëruara nga të afërm që hanin ëmbëlsira.
U ulëm në bar-kafen që të krijonte më shumë mundësi për të parë pjesë më të gjera të Stambollit. Unë e kisha shumë të vështirë të pija kafe në një mjedis të tillë, ku rrezet e diellit të përthyera në varre të vrisnin sytë.
Shikoja turqit që hanin e pinin krejt të qetë në këto lokale të rrethuar me varre nga të gjitha anët. U propozova kolegëve që të zbrisnim nga kodra Pier Loti më këmbë, duke arsyetuar si me shaka se, sipas traditës shumëshekullore të shqiptarëve, nuk lejohet kapërcimi i varreve, qoftë edhe me teleferik.
Kërkesa ime u mirëprit. Rruga mes varreve ishte e shtruar me pllaka mermeri të bardhë, por e ngushtë, aq sa për të kaluar një autoveturë.
Kur po zbrisnim poshtë pamë dy nuse me vello të bardha që i filmonin dhe i fotografonin, duke ecur nëpërmjet varreve me mermer të bardhë ose duke qendruar pranë tyre.
Në fillim mendova se nuset i fotografojnë ose i filmojnë pranë varrit të ndonjë të afërmi të tyre si nëna, babai, motra ose vëllai. Por, shpejt ndërrova mendim, kur vura re se kameramanët dhe fotografët i orientonin nuset të lëviznin në një hapësirë të gjerë mes varresh, për të gjetur ato pozicione ku realizoheshin fotografi më të mira.
Gati i shokuar nga këto pamje në varreza, pyeta njërin nga kolegët turq.
“Pse i sillni nuset në varreza? A është e domosdoshme që një vajzë e re, ende pa filluar jetën bashkëshortore, të fshijë mermerin e varreve të të panjohurve me vellon e bardhë të nusërisë”?
Ai u përgjigj pa emocion, si për një çështje rutinë, krejt të zakonshme:
“Një vizitë e tillë në varreza është thjesht një tërheqje vëmendjeje. Nuset duhet ta marrin jetën shtruar, të jenë kokëulur, sepse sado të pasura ose të ditura të jenë, sado mbarë t’u shkojë jeta, përfundimi për të gjithë është këtu, në varreza”.
Në këtë aspekt, kultura turke ndryshon shumë nga kultura shqiptare.
Në kulturën shqiptare, përgjithësisht nuset e reja, sidomos përgjatë vitit të parë pas martesës, përpiqen që jo vetëm t’i mbajnë sa më larg ceremonive mortore dhe varrezve, por edhe të mos i përfshijnë në biseda ku flitet për vdekje dhe njerëz që ndërrojnë jetë.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare ka qenë mjaft e përhapur mendësia se, sidomos përgjatë vitit të parë pas martesës, sa më larg fatkeqësive të qendrojë një nuse e re, aq më të mbarë do ta ketë ajo jetën bashkë me fëmijët që do të lindë.
Z.D