MENU
klinika

Shoqata-Lidhja e shqiptarëve të Rumanisë

Rikthehet pas 82-viteve, revista e pezulluar në histori “Albanica”

03.02.2019 - 10:00

Populli rumun qëndron krah historisë së Shqipërisë si mike e saj, duke qenë se në kohërat e hershme, u bë si atdhe i dytë për shumë shqiptarë, të larguar për arsye politike apo ekonomike.

Në shumë nga veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj gjenden të dhëna lidhur me shpërnguljen drejt Rumanisë në krahinat si: Vllahi, Moldavi, Transilvani, Dobruxhia, Besarabia, etj.

Në këtë mënyrë dhe vepra të tilla letrare, të tilla si ato të Dora d’Istria, Lasgush Poradecit, Vehbi Bala, etj, mund të renditen krahas dokumenteve arkivore, si dëshmi e kontributit të shqiptarëve, në mbrojtjen e pavarësisë së Rumanisë, si dhe angazhimin e tyre në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, deri në shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor të 1912-ës.

shqiptaret ne rumani-konica.al

Në këtë rrjedhë më datën 12 shkurt, ora 16.00, do të rikthehet një vëllim mjaft i rëndishme në sallën “Perpecissicius” të Muzeut të Letërsisë Rumune ku do të promovohet numri i parë i revistës shkencore dhe kulturore:”ALBANICA”, botim i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR).

Pas promovimit një moment muzikor nga Florentina Barbu dhe Daniel Bertesteanu (kitare).

Në datën 14 shkurt ora 11.00, në Muzeun e Historisë dhe të Arkeologjisë në Constanta, do të zhvillohet promovimi i dytë dhe vijon dhe një i tretë në qytetin e Craiova-s. Kryeredaktor: Dr. Luan Topciu, Drejtor: Dr. Radu Savulescu, Sekretar i Përgjithshëm i Redaksisë: Dr. Liviu Lungu.

Para 82 vjet, nën autorësinë e Dr.Anton B.I. Balota, u botua vëllimi „Albanica” në Bukuresht, në vitin 1936, një revistë që propozonte të ishte një nismëtare në filologjinë shqiptare. Autori planifikoi të botonte dhe vëllime të tjera, të cilat, përveç problemeve teorike të filologjisë shqipe, do të ofronin më shumë informacion në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në lidhje me të kaluarën dhe të tashmen e tyre si dhe tekste popullore dhe nga letërsia e lëvruar, të përkthyera në rumanisht, studime përshkruese estetike të tekstit, gramatikën e dy dialekteve të gjuhës shqipe, të shoqëruar me fjalorë etj.

albanica-konica.al

Pas 82 vjetësh, rimarrim këtë projekt të pezulluar në histori, duke filluar me numrin e parë të revistës tremujore: „Albanica”/Dimër 2018/2019. Është një projekt i ri i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), me qëllimin e botimit të teksteve të rëndësishme, shkruar nga autorë rumunë dhe shqiptarë, në lidhje me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, rreth gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, rreth Rumanisë dhe marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy gjuhëve dhe kulturave, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, arte etj.

Autorë në këtë numër: Nicolae Iorga, Grigore Brancus, Victor Eftimiu, Ernest Koliqi, Migjeni, Faik Konica, Visar Zhiti, Kristo Frasheri, Erion Piciri, Margaret Hasluck, Luan Topciu, Radu Savulescu, Daniela Stoica, Ina Arapi, Renata Topciu-Melonashi, Constantin Scurtu, Liviu Lungu, Gustavo Adolfo Loria Rivel, Lavinia Dumitrascu, Marius Chelaru.

Revista ka 250 fq. dhe është ilustruar me vepra të piktorëve Gentian Zeka dhe Aurel Acasandrei.