MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Shijakun apo Londrën?

22.02.2019 - 21:42

Është krejt e qartë, që Shqipëria si krejt Ballkani, vuan nga qarkullimi i elitave.

Një qeveri, një kryeministër që fiton një palë zgjedhje, fiton dy dhe fiton të gjitha. Sepse shtie në dorë gjithçka. Madje edhe nëse s’do, krejt pushtetet shkojnë drejt saj. Edhe mediat, edhe bizneset dorëzohen.
Në këto kushte protesta është domosdoshmeri, është fiziologjike, e dobishme, për ekuilibra, për të frenuar abuzimin, etj.
Mirëpo, ka disa dilema…

Vendimi i fundit i opozitës, për të dorëzuar mandatet parlamentare, ka krijuar dilema të shumta.

Opozita konica.al
Opozita konica.al

Dilema e parë në planin e brendshëm: Sa të fuqishme, ndikuese dhe vendimtare, janë masa të tilla si ajo e dorëzimit të mandateve?

Dilema e dytë: Me kë është opozita sot mes aleatëve ndërkombëtarë? Me Evropën kundër Amerikës, me Amerikën kundër Evropës, me të dyja apo me asnjërën prej tyre?

*Për dilemën e parë është shumë e thjeshtë, meqenëse po shtrohen shumë pyetje apo sugjerime nxitëse të aksionit politik të opozitës, sipas të cilëve, veprimi i saj procedurial, institucional, ose anti-institucional, si dorëzimi i mandateve do të duhet të ndiqet me protesta të dhunshme (sugjerim i një kolegu).

Dhe në kushte të tilla, në një kakofoni sugjerimesh, analizash, është më e thjeshtë për të bërë një krahasim me atë hap, me atë aksion politik, i cili iu parapriu protestave, dy protestave të fundit të opozitës dhe praktikisht protestës së studentëve, ose “stina studentore” që studentët e shpallën fundvitin që shkoi dhe fillimin e këtij viti.

Mjafton që të krahasosh këtë lloj aksioni politik, i cili pati elementë dhune, pra aksionin politik të opozitës me aksionin politik të studentëve, për të kuptuar që qëllimet politike në kohën e sotme edhe me këtë regjim, i cili sipas kritikëve të tij, është një regjim i cili kontrollon gjithçka, mund të arrihen dhe jo nëpërmjet dhunës.

Protesta e studentëve është shembull, se si në mënyrë të çorganizuar, spontane, nga njerëz me bindje të ndryshme politike, nga njerëz që nuk ishin motivuar financiarisht, nga njerëz për të cilët nuk kishte aparat organizativ, logjistikë, autobuzë, furgonë, njësi partie, organizata lokale, të arrihej një mobilizim i tillë aq i madh, të krijohej një simpati popullore aq e jashtëzakonshme, të lindte shpresa se diçka mund të ndryshonte dhe ta detyronte qeverinë për të bërë ndryshime, së paku në gjysmën e kabinetit të saj.

Pra, mjafton vetëm ky shembull, krahasimi i protestës së fundit të opozitës, madje, dhe asaj para Parlamentit, me protestën e studentëve për tu bindur, që qoftë masat institucionale si dorëzimi i mandateve, qoftë protestat e dhunshme nuk janë të domosdoshme për të arritur qëllime politike.

Një strukturë, një organizim i besueshëm partiak, në qoftë se mobilizohet si studentët mund të arrijë qëllime politike të rëndësishme.

Në fakt ky është një moment për të kuptuar se çfarë karakteri lokal kanë protesta të tilla: A arrijnë ato të shndërrohen në mekanizma ose ngjarje, që të tërheqin vota për subjektet politike, LSI-në apo PD-në, që i organizuan ato? Çfarë arrijnë, çfarë impakti dhe ndikimi elektoral kanë protestat ose një akt i tillë siç është dorëzimi i mandateve?

Këto janë akte me karakter ekstrem të cilat mobilizojnë vetëm një pjesë, militantët e partive, krahët ekstremë të tyre, të cilët duan dhe shpresojnë, edhe naivisht madje, se protesta mund të sjellë ndryshimin e qeverisjes dhe të sjellë përfaqësuesit e vet në pushtet, por pjesa “gri” zakonisht ose pjesa ‘mëdyshëse’, abstenuese, nuk është për rrugët ekstreme të ndërrimit të pushtetit.

Në këtë mënyrë protesta, me këtë formë ekstreme, dorëzimin e mandateve, ose me dhunën përballë dyerve të blinduara të qeverisë, nuk prodhon as impakt elektoral dhe as ndryshim pushteti.

Plani i dytë i analizës: Cili është impakti ndërkombëtar i kësaj proteste?

Mbetet e thjeshtë, duke qenë se ka një qëndrim në unison të dy kaheve të Perëndimit: Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, që dënojnë qoftë protestat e dhunshme, qoftë dorëzimin e mandateve, si veprime të cilat ndërpresin kursin e reformave dhe cënojnë legjitimitetin, ecurinë e proçesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Por, jo vetëm kaq, SHBA ka ndërhyrë në Ballkan.

Ndoshta, janë duke u tërhequr nga Siria për të arritur një proçes paqësimi midis Kosovës dhe Serbisë, për ta rrjeshtuar atë në listën e sukseseve në politikën e jashtme të saj në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të ardhshme. Dhe protestat e njëkohëshme në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, janë protesta të cilat ndikojnë në ecurinë e suksesshme të këtij proçesi.

Kjo është arsyeja se pse SHBA-të janë paraqitur fuqishëm duke dënuar këto protesta, duke dënuar vendimin e fundit, dhe madje kemi një akt të pazakontë që është praktikisht telefonata e zv./ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer, me dy krerët e partive kryesore të opozitës LSI dhe PD.

matthew palmer-konica.al

Matthew Palmer, për atë që nuk e di, është personi i cili është përgjegjës në Departamentin e Shtetit për vendet e Ballkanit. Për ta kuptuar më shumë, është pasuesi, ndonëse jo i drejtpërdrejtë i Brian Hoyt Yee, atij që quhet diplomati ‘buldozer’ që arriti marrëveshjen e famshme midis Ramës dhe Bashës.

Diplomati, i njohur edhe për veprat e tij ndërmjetësuese për rrugët e ashpra të përdorura, si të presionit, kërcënimit, përdoren këto negociata, pra pasuesi i Brian Hoyt Yee i cili arriti marrëveshjen e famshme u shfaq me telefonata kërcënuese kundër dy liderëve të opozitës.

Pra, SHBA-të në raport me protestën e mëparshme që kishte çadrën si shprehjen e saj sintetike, u shfaqën në lojë shumë më herët, me nivelin më të lartë të zyrtarëve të DASH, të cilët merren me Shqipërinë, me Ballkanin.

Pra Amerika zbriti më herët në skenë dhe këtu kemi një dilemë për opozitën.

Në qoftë se në rastin e ‘Çadrës’, opozita e kritikuar ashpërsisht nga përfaqësuesit europianë, madje edhe nga partitë popullore, krijoi iluzionin se kishte mbështetjen amerikane, nga administrata e Trump-it, e cila ishte anti-soroiste dhe Sorosi mbështeste Ramën, u shfaq madje fotografia e Bashës me Trumpin, sot kemi amerikanët që kanë zbritur në skenë të parët, ndërkohë që Basha ka nisur një tur në Evropë.

Por, a do të kemi një mbështetje evropiane kundër amerikanëve?

Edhe kjo është e diskutueshme, ndërkohë që sot kemi pozicionimin e CDU-CSU, jo në favor të qeverisë, por kritike në lidhje me opozitën dhe qasjen e saj.

Në këtë rrjedhë, dilema: “Evropa me opozitën dhe Amerika kundër saj”,  e cila ngjan si një e anasjelltë e asaj që ishte në rastin e ‘Çadrës’, është një dilemë e cila e ka marrë përgjigjen shumë herët.

Dilema: “A do ndikojë plani lokal i protestës tek angazhimi i Perëndimit apo simpatia e tij”, i ngjan përgjigjes se kësaj dileme nga Haxhi Qamili: “Tue pat Peqinin dhe Kavajën s’më duhet mua Parisi me Londrën”.

Me video: