MENU
klinika

Mund të mbarojë procesi për 6 muaj?

Si Rusia mund të pengojë Maqedoninë në NATO

09.02.2019 - 13:29

Maqedonia e sapopagëzuar, po nxit  vendet aleate që të ratifikojnë protokollin e pranimit të Maqedonisë Veriore në NATO sa më shpejt, pasi  kërkon të përfundojë këtë marrëveshje përpara se Rusia të gjejë mënyra për ta penguar atë.

Duke folur për gazetarët në Uashington, Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështjet Evropiane, paralajmëroi se “çdo ditë në proces jep një ditë më shumë për ata që duan të pengojnë procesin”.

“Mendoj se kemi marrë trenin e fundit. Ky rajon, gjeopolitikisht, po bëhet shumë dinamik, dhe mendoj se ishte rasti i fundit që ne të përcaktojmë gjeopolitikën në rajon, se ky rajon i takon NATO-s, i përket familjes euroatlantike të vendeve” tha Osmani. “Ratifikimi duhet të finalizohet sa më parë”.

Osmani ka arsye të dyshojë se Rusia do të përpiqet të heqë shansin e vendit të tij për t’u bashkuar me NATO.

Dhe në vitin 2017, pak para se Mali i Zi të bashkohej me NATO, burimet e inteligjencës perëndimore identifikuan një komplot, i cili dyshohet se kishte përfshirë vrasje politike dhe me sa duket ishte financuar dhe organizuar nga Moska.

Greqia ka qenë pengesë për kërkesat e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO dhe Bashkimin Evropian për dekada. Me një marrëveshje, vitin e kaluar u vendos që Maqedonia të ndryshonte emrin e saj në “Maqedonia e Veriut”. Në këmbim, Greqia ka rënë dakord t’i japë fund kundërshtimeve të saj për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Për t’u bashkuar me NATO-n, organet qeverisëse të 29 aleatëve duhet të ratifikojnë marrëveshjen. Osmani është i vetëdijshëm se sa më shumë të zgjasë procesi, aq më e madhe është mundësia që Rusia të ndikojë në rezultat.

“Ata do të përpiqen të përdorin zbatimin e marrëveshjes si një terren pjellor për krijimin e një energjie negative midis Greqisë dhe Maqedonisë”, tha Osmani.

Prandaj, ai dëshiron që procesi të përfundojë brenda gjashtë muajve. Ky është një afat kohor ambicioz, duke pasur parasysh se tre vendeve të fundit që u bashkuan me NATO-n, Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, iu deshën 12-18 muaj.

Strategjikisht, Maqedonia shpreson që Senati i SHBA të votojë sa më shpejt, pasi kjo do të nxiste anëtarët e tjerë të NATO-s. Dhe megjithëse Presidenti Donald Trump ka qenë kritik ndaj NATO-s, Senati e ka mbështetur atë.

Maqedonia, e cila tani shpenzon rreth 1.2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje, ka një plan në vend që të arrijë objektivin e NATO-s prej 2 përqind deri në vitin 2024.

Aaron Mehta/ Defence News