MENU
klinika

Detajet

Tahiri mbërrin në Gjykatën e Krimeve, do t’i komunikohet akuza

28.02.2019 - 13:18

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, aty ku do t’i komunikohen akuzat. Prokuroria për Krime të rënda mbylli dje hetimet dhe çoi dosjen në Gjykatë.

Prokuroria për Krime të Rënda akuzon Tahirin për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Bashkë me ish-ministrin të pandehur janë marrë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode, të cilët jetojnë në arrati prej më shumë se një viti e gjysmë. Konkretisht ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave nga organizata kriminale.

Në dosjen e prokurorisë, e cila bazohet kryesisht në materiale të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe përgjimet telefonike, thuhet se ish-ministri dhe tre ish-zyrtarët e policisë së Vlorës kanë krijuar kushtet e favorshme që pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, të ushtronin të qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Catania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij.

Përgjatë dy viteve ish-ministri ka zhvilluar disa betaja me gjykatën, duke ia dalë të rrëzojë prokurorinë, në të paktën tri raste. Njëherë kur rimori dokumentat e identifikimit, më vonë, kur Apeli i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, që kishte caktuar ndaj tij gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda, e së fundmi, kur bindi gjykatën të urdhëtonte prokurorinë për të përfunduar hetimet dhe t’i jepte zgjidhje cështjes së tij.