Numërohen me gishtat e dorës sportistët elitarë shqiptarë në Europë apo botë. Megjithatë, Shqipëria krenohet me Eklent Kaçin, biliardistin që konfirmohet i parë në Europë.
Një sukses i pritshëm, ndërsa sot është bërë zyrtare renditja. Pas mbylljes së vitit 2018 dhe përfundimit të të gjitha garave në Europë, ai kryeson rang listën e 12 bilardistëve më të mirë të kontinentin tonë.
Eklent Kaçi ka lënë pas emra të njohur të sportit të bilardos në Europë, duke u vlerësuar nga “Eurotur”, si bilardisti më i mirë për vitin 2018, me 2650 pikë në total.
Ky është një tjetër sukses i 20-vjeçarit nga Laçi, që është duke mahnitur botën me talentin e tij në bilardo. Eklent Kaçi është konfirmuar tashmë si sportist i suksesshëm.
Ai ka fituar disa kampionate dhe ture ndërkombëtar të bilardos në disa disiplina, të zhvilluara në vende të ndryshme të botës. Ëndrra e tij tashmë është të bëhet numri një i botës.