MENU
klinika

Washington Post

Trump po luan me zjarrin…

03.02.2019 - 12:59

Kritikat e Presidentit Trump për shefat e tij të inteligjencës këtë javë është hera e tretë kur marrëdhënia midis presidentit dhe inteligjencës amerikane ka pësuar tronditje.

E para erdhi gjatë tranzicionit presidencial në vitin 2016 dhe në ditët e para të administratës në vitin 2017, kur presidenti haptazi vuri në pikëpyetje analizën e inteligjencës mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe krahasoi shefat e inteligjencës me “nazistët”.

E dyta ishte samiti i Trump në Helsinki me Vladimir Putin, kur Trump doli hapur me presidentin rus kundër oficerëve të inteligjencës së Amerikës.

Raundi më i fundit, ishte të mërkurën, kur presidenti i etiketoi oficerët e tij të lartë të inteligjencës “jashtëzakonisht pasivë dhe naivë”. Kjo na kujton edhe një herë se marrëdhënia aktuale lë për të dëshiruar, dhe sjell pasoja të rënda në sigurinë e vendit tonë.

Presidentët amerikanë kanë kohë që nuk bien dakord me disa nga informacionet dhe analizat nga komuniteti i inteligjencës.

As nuk është e pazakontë që një president t’ia hedhë fajin komunitetit të inteligjencës për një dështim në politikë.

Pra, çfarë është ndryshe tani? Për shembull, numri i mosmarrëveshjeve midis Trump dhe agjencive të tij të inteligjencës është shumë më i madh se në të kaluarën, dhe shumë prej tyre janë bërë publike.  Është tjetër gjë të thuash se Kim Jong Un nuk do të heqë dorë kurrë nga armët e tij strategjike dhe është krejt tjetër të thuhet se Koreja e Veriut nuk është më një kërcënim bërthamor.

Dhe, së fundi, asnjë president tjetër nuk ka sulmuar personalisht pjesëtarët e komunitetit të inteligjencës, ashtu si Trump.

Pra, cilat janë pasojat e gjithë kësaj?

Për shembull, kur presidenti thotë se beson Putin më shumë se oficerët e inteligjencës, kjo ndikon në moralin dhe produktivitetin e fuqisë punëtore të inteligjencës.

Dy, e gjithë kjo situatë është një nga arsyet që të huajt kthehen kundër qeverisë së tyre dhe spiunojnë.

Dhe tre, ndoshta rreziku më i madh: Ekziston rreziku që retorika e Trump rreth komunitetit të inteligjencës, të fillojë të ndikojë në mënyrën se si liderët e saj, dhe njerëzit që punojnë për to, flasin publikisht dhe punojnë për çështjet.

Siç tha dikur Presidenti Ronald Reagan, oficerët e inteligjencës së Amerikës “janë sytë dhe veshët e botës së lirë”. Komuniteti i inteligjencës duhet të mbështetet nga udhëheqësit e kombit në punën e tyre kritike. Siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara varet nga ata.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN