Edhe një këngë tjetër e re i është bashkuar një numri të madh prurjesh muzikore që artistët tanë kanë sjellë së fundmi.
Bendi i rokut “Jericho” ka sjell këngën më të re para fansave të tyre dhe publikut të gjerë.
“Ëndërr e prerë”, titullohet kënga më e re gjersa vargjet e saj janë të shkëputura nga poezia e Dritëro Agollit.
Në videon e këngës shfaqet edhe aktori prizrenas, Xhevdet Doda, i cili me performancën e tij i dha kuptim projektit muzikor.
Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare.
Përveç instrumenteve standarde të rockut, ata përdorin edhe instrumente orientale të muzikës tradicionale shqiptare, si tupani, kavalli apo zurna.
Muzikën e këngës e ka bërë Petrit Çarkaxhiu gjersa orkestrimin Trimor Dhomi.
Ndërkohë, grupi muzikor ka paralajmëruar edhe këngë të tjera që do t’i sjellin gjatë muajve të ardhshëm.