Vangjel Tavo është deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Parlament.
Ai është shprehur publikisht për djegien e mandatit, por sqaron se është ende deputet për shkak të një lapsusi me emrin e babait.
Reagimi i plotë:
Miq, sapo mësova nga media në lidhje me një shkelje të procedurave për verifikimin e gjeneraliteteve të personit tim, nga ana e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me dorëzimin e mandatit tim si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Nxitimthi, gjatë plotësimit të formularit kam kryer një lapsus nga ana ime, në lidhje me emrin e saktë të babait, pasi nuk është shënuar sipas pashaportës. Unë i qëndroj më shumë dhe më bindshëm se kurrë qëndrimit dhe aktit politik të dorëzimit të mandatit, ndaj do e plotësoj edhe një herë formularin në mënyrë të saktë dhe do e dorëzoj me t’u kthyer në Shqipëri nga një vizitë që po bëj jashtë vendit.
Por ndërkohë dua të denoncoj shkeljen e të gjitha procedurave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për verifikimin e dokumnetacionit që vërteton të dhënat e mia.
Akti i formalizimit të lënies së mandateve të deputetëve të opozitës, nuk po bëhet aspak me seriozitetin e duhur.
Ligjërisht, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend duhet të thërriste një e nga një deputetët e dorëhequr të cilët duhej edhe njëherë të deklaronin heqjen dorë nga mandati përballë këtij komisioni. Por kjo procedurë nuk është ndjekur dhe dokumentat e firmosura nga deputët i kanë kaluar direkt nga Kuvendi KQZ-së pa u verifikuar dhe ndjekur procedurat.
Unë e pranoj lapsusin për të cilin jam informuar nga media. I qëndroj absolutisht linjës opozitare për djegien e mandateve dhe sapo të kthehem në Shqipëri do firmos edhe njëherë dorëheqjen.
Por shikoni miq, ja ky është serioziteti i institucioneve tona. Askush nuk e verifikoi atë që unë kisha shkruar. Kjo është një shkelje e rëndë institucionale.
Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të përhershme.
Gjithmonë i juaji!