Emilia Clarke, zgjodhi që të rrëfejë për diçka vërtetë personale për “New Yorker” dhe të tregojë për kohën që vuajti nga dy aneurizma në tru.
Ajo tregoi se për herë të parë u diagnostikua me aneurizëm, në moshën 24 vjeçare, kur sapo kishte mbyllur xhirimet për sezonin e parë të “Games of Thrones”: “Isha duke u ushtruar me trajnerin tim, kur ndjeva një shtrëngim në tru. U përpoqa ta injoroja dhimbjen dhe të vazhdoja, por nuk munda. I thashë trajnerit tim që duhet të pushoja. Gati duke u zvarritur shkova në dhomën e zhveshjes, me kokën ulur mbi gjunjë qava dhe u ndjeva shumë, shumë keq. Ndërkohë, dhimbja në kokë ishte sikur po më godisnin, sikur më gjuanin me thikë dhe vazhdonte të bëhej më keq. E dija çfarë po ndodhte, truri im ishte dëmtuar”.
Më pas Clarke tregon se një grua e kishte ndihmuar të shkonte në spital, ku pas vizitës ju komunikua se vuante nga një hemorragji subarankoide, që do të thotë se kishte gjakderdhje në tru.
Aneurizmat shpesh janë fatale, duke u bërë shkak për vdekjen e dikujt, ose mund të japin dëme të pariparueshme në tru.
Për të parandaluar një gjë të tillë, Emilia ju nënshtrua një operacioni mini-invaziv në kokë, i cili zgjati tre orë, edhe pse fillimisht kishte hezituar pasi nuk kishte kohë për kirurgji në kokë.
Kur u zgjua nga operacioni, në të cilin asaj ju vendos një tel në një nga arteriet që shkojnë në tru dhe në zemër, gjithçka ishte në rregull dhe për dy javë nuk pati asnjë komplikacion. Më pas, siç tregon aktorja e njohur, erdhi një periudhë ku nuk mund të mbante mend as emrin e saj.