MENU
klinika

E drejta Tv

FSHF reagon ndaj RTSH-së për transmetimin

24.03.2019 - 19:21

Federata Shqipare e Futbollit, si organizatore e veprimtarive sportive të ekipit kombëtar U-21, është pronare e së drejtës së transmetimit të kësaj veprimtarie.

Konform ligjit “Për Sportin”, FSHF mund ta shesë këtë të drejtë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me konkurrim publik.

Ky konkurim publik është zhvilluar përmes njoftimit të datës 12.03.2019, duke ju dërguar të gjithë subjekteve transmetuese dhe në fund është shpallur fitues i vetmi subjekt i cili ka shprehur interes për ta trasmetuar.

Si pjesë e kushteve të konkurrimit ka qenë edhe që transmetuesi të garantojë transmetimin në një televizion kombëtar.

Nga kontaktet me transmetuesin, rezulton se kjo ka qenë e pamundur pasi për shkak të zhvillimit të disa aktiviteteve njëkohësisht sinjali është prodhuar me vonesë, por pavarësisht këtij fakti asnjë Televizion Kombëtar nuk ka shfaqur interesim për këtë aktivitet.

Sjellim në vëmendjen e publikut se e njejta skemë është realizuar edhe për ndeshjen e ekipit kombëtar A, rast në të cilin RTSH dhe DGA kanë nënshkuar kontratën përkatëse.

FSHF shpreh keqardhje për principet e prapambetura tregtare dhe jo vetëm të RTSH. E drejta e transmetimit të aktiviteteve futbollistike i takon me ligj FSHF-së, e cila mund ta menaxhojë duke ndjekur parimin e ofertës më të mirë dhe jo parimin e historisë së transmetimeve përpara hyrjes së ligjit në fuqi.

Po ashtu, duke qenë se veprimtaria futbollistike EURO 2020 nuk organizohet nga administrata publike dhe as nuk financohet nga buxheti i shtetit, RTSH nuk gëzon dot ekskluzivitetin e së drejtës së transmetimit.

Përtej nostalgjisë së RTSH, veprimtaria radiotelevizive në Shqipëri është e lirë dhe i përgjigjet vetëm tregut, ndaj e ftojmë të zbatojë qëllimin ligjor si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit në shërbim të publikut kombëtar, dhe të realizojë shërbime të paanshme për të informuar e jo keqinformuar publikun si dhe duke i shërbyer kombit e jo duke shantazhuar e baltosur Federatën Shqiptare të Futbollit.