Imazhet satelitore të një objekti afër Phenianit tregojnë se Koreja e Veriut po përgatitet të lëshojë një raketë ose një satelit.
Veprimet po kryhen në një vend të njohur si Sanumdong, ku Koreja e Veriut mblodhi shumicën e raketave.
E gjitha kjo vjen pas njoftimeve të kësaj jave se vendi i nisjes së raketave të Koresë së Veriut në Sohae ishte rindërtuar. Puna për të çmontuar Sohae filloi vitin e kaluar, por u ndalua pasi bisedimet me SHBA u zvarritën. Sohae ka qenë struktura kryesore e nisjes së satelitit të Koresë së Veriut që nga viti 2012. Ajo gjithashtu është përdorur për testimin e motorëve për raketat e afta për të arritur në SHBA.
Automjetet e mëdha janë parë duke lëvizur rreth Sanumdong, aktivitet që në të kaluarën tregonte se Koreja e Veriut po përatitej të lëshonte ndonjë raketë. Imazhet satelitore u publikuan nga rrjeti i radios publike amerikane NPR.
Foto e marrë nga BBC
Të premten, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se do të ishte i zhgënjyer nëse Koreja e Veriut do të rifillonte testimin e armëve. “Do të isha i habitur në një mënyrë negative, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai. “Do të isha shumë i zhgënjyer nëse do të shoh testimin”.
Megjithatë presidenti Trump përsëriti se beson në raportin e tij të mirë me udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, pavarësisht dështimit të samitit të tyre javën e kaluar.
Një takim i shumëpritur midis dy udhëheqësve në kryeqytetin vietnamez javën e kaluar përfundoi pa një marrëveshje, duke qenë se sipas Trumpit, Koreja e Veriut ishte e gatshme të kufizonte programin e saj bërthamor por vetëm nëse do të hiqeshin plotësisht sanksionet.
Foto e marrë nga BBC
Megjithatë Trump pranoi se paten “takime shumë të mira dhe konstruktive”.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, John Bolton ka thënë se Koreja e Veriut mund të përballet me më shumë sanksione nëse nuk ka përparim në denuklearizim.
Takimi i parë historik midis Trump dhe Kim në 2018 në Singapor prodhoi një marrëveshje të formuluar në mënyrë të paqartë mbi “denuklearizimin”, por shumë pak përparim.