Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, tha se do të bllokojë “lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e nacionalizmit të bardhë dhe separatizmit”, nisur nga java e ardhshme.
Facebook po ashtu u zotua se do të përmirësojë aftësitë e tij për të identifikuar dhe bllokuar materialet nga grupet terroriste. Rrjeti social është nën presion, qëkur një person i armatosur transmetoi drejtpërdrejt në Facebook sulmet e tij në dy xhami të Zelandës së Re, më 15 mars.
Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasjen e 50 personave në dy xhamitë e qytetit Kristçërç.
Pas këtyre sulmeve, disa udhëheqës botërorë u kanë bërë thirrje kompanive të mediave sociale që të marrin më shumë përgjegjësi për materialin ekstremist, të postuar në platformat e tyre.
Në përgjigje, Facebook tha se ka shtuar ekipet e tij të monitorimit të përmbajtjes dhe se ka hequr tashmë faqet që janë përdorur për të promovuar dhe organizuar mitingje nga grupet e supremacistëve të bardhë.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila u ka bërë thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të jenë përgjegjës për atë që përdoruesit postojnë, tha se e mirëpret vendimin e ri të Facebook-ut.
“Ka mësime që duhet të mësohen nga Kristçërç”, tha Ardern.
Facebook tha se politika e re do të aplikohet edhe në aplikacionin e tij të shpërndarjes së fotografive, Instagram.
“Njerëzit do të mund të shprehin krenarinë e tyre për trashëgiminë etnike, por ne nuk do të tolerojmë lavdërimin ose mbështetjen e nacionalizmit të bardhë dhe separatizmit”, tha përmes një deklarate Facebook.
Sulmuesi i dyshuar në Zelandën e Re nxiti edhe Qeverinë e Austrisë që të shqyrtojë shpërbërjen e një grupi të ekstremit të djathtë, i cili ka marrë donacione nga Brenton Tarrant.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se qeveria e tij po heton nëse Lëvizja e Identitetit është “organizatë terroriste”.
Prokurorët konfirmuan se udhëheqësi i lëvizjes, Martin Sellner, ka marrë rreth 1,500 euro nga Tarrant.
Sellner e konfirmoi donacionin, por mohoi lidhjet me të dyshuarin.
“Pozicioni ynë për këtë është shumë i qartë, asnjë lloj ekstremizmi – qoftë nga radikalët islamikë apo fanatikët e ekstremit të djathtë – nuk ka vend në shoqërinë tonë”, tha kancelari austriak, Kurz.
Partia e tij Popullore është në koalicion me Partinë Liria të së djathtës ekstreme, çfarë e bën Austrinë vendin e vetëm në Evropën Perëndimore me prani të ekstremit të djathtë në qeveri.
Autoritetet austriake konfirmuan javën e kaluar se Brenton Tarrant ka vizituar Austrinë në nëntor, edhe pse hollësitë e qëndrimit të tij atje mbeten të panjohura.