MENU
klinika

Deklarata e sekretarit amerikan

Pompeo: Perëndia e dërgoi Trumpin për të shpëtuar Izraelin

22.03.2019 - 16:26

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se është e mundur që Presidenti Donald Trump është dërguar nga Perëndia për të shpëtuar popullin hebre nga Irani.

Në një intervistë me Rrjetin e Transmetimit të Krishterë gjatë një udhëtimi në Izrael, ai vlerësoi përpjekjet e SHBA për të “siguruar që kjo demokraci në Lindjen e Mesme, që ky shtet hebre të mbijetojë”.

Komentet erdhën në një festë hebraike që festonte shpëtimin nga genocidi. Festa përkujton shpëtimin e popullit hebre nga mbretëresha Ester nga persët, siç vuri në dukje intervistuesi i Pompeos.

Ai u pyet nëse presidenti Trump është dërguar nga Zoti një kohë të tillë si kjo, ashtu si Mbretëresha Ester, për të ndihmuar në shpëtimin e popullit hebre nga një kërcënim iranian. “Si i krishterë, sigurisht që besoj se është e mundur,” tha Pompeo, një ish-senator i Kansas dhe drejtor i CIA-s.

Që kur u bë president, Trump ka kërkuar një qëndrim të ashpër kundër Iranit. Në maj të vitit 2018, Trump tërhoqi SHBA nga Marrëveshja bërthamore me Iranin, ​​duke e quajtur atë “një marrëveshje të tmerrshme të njëanshme”.

Gjithashtu të enjten, presidenti Donald Trump u shpreh se ka ardhur koha që SHBA të njohë sovranitetin e Izraelit në pjesën e Golanit të pushtuar. 

Në një postim në Twitter, lideri amerikan deklaroi se “njohja e rrafshnaltës ishte me rëndësi kritike, strategjike për Izraelin dhe për rajonin.”

“Pas 52 vitesh është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, që është e një rëndësie strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe stabilitetin rajonal”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump.

Izraeli e zbatoi administratën dhe ligjin për Golanin në vitin 1981, por qeveritë e tjera nuk e njohën aktin. Siria vazhdimisht ka kërkuar të rifitojë sovranitetin mbi rajonin.

Pas reagimit të Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu bëri një postim në Twitter ku shkruajti: “Në një kohë kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin, Trump pranon me guxim sovranitetin izraelit në Golanin e pushtuar”.

Ata do të takohen javën e ardhshme, sepse Netanjahu është në Uashington për të marrë pjesë në takimin vjetor të Komitetit Amerikan të Izraelit për Marrëdhëniet me Publikun (AIPAC).

Vërejtjet e Pompeo dhe deklarata e Trumpit lidhur me Golan vijnë vetëm disa javë përpara se zgjedhjet izraelite të mbahen, më 9 prill.