Qeveria spanjolle u detyrua nga Komiteti Olimipik Ndërkombëtar ta lejojë Kosovën të marrë pjesë me simbole shtetërore në Kampionatin Evropian të Karatesë.
Kombëtarja e Kosovës në karate udhëtoi sot drejt Spanjës, ku prej 28 – 31 mars do të mbahet Kampionati i 54-të Evropian për seniorë, në qytetin e Guadalajaras së Spanjës.
Vlerona Shala (kata), Albulena Gërvalla (-55 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Argjend Berjani (kata), Orges Arifi (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Alvin Karaqi (-84 kg), Herolind Nishevci (+84 kg), do të kërkojnë medalje.
Ndërsa në kumite Kosova përfaqësohet me Nishevcin, Arifin, Cenajn, Karaqin, Shabanin, si dhe Blodin Pakashticën.
Përkundër problemeve që më parë ia kishte shkaktuar Kosovës, Federata Spanjolle e Karatesë ka bërë të ditur se Kosova do të garojë si e barabartë me të gjitha kombëtaret e tjera që marrin pjesë në Evropian.
Kosova nuk ishte lejuar të marrë pjesë, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Spanja, në Botërorin e Karatesë në nëntorin e kaluar, që u mbajt në Madrid.
Pas kësaj, Komiteti Olimpik i Karatesë e kishte kërcënuar Spanjën se nuk do të ketë mundësi të organizojë gara të tjera nëse nuk e lejon Kosovën të marrë pjesë me simbole shtetërore.
Për këtë arsye, qeveria spanjolle u detyra ta zgjidhë këtë problem dhe së bashku me presindetin të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, arritën marrëveshje për ta lejuar Kosovën të garojë me simbole shtetërore.