Pretendon se ka një kontratë të rregullt dhe trajneri i tenistes japoneze Naomi Osaka, fituese e dy grand slam të fundit (US Open dhe Australian Open) dhe aktualisht numri 1 në botë, e ka hedhur në gjyq.
Tenistja 21-vjeçare një muaj më parë largoi trajnerin Sascha Bajin, shoqëruar nga disa paraqitje të dobëta, që mund t’i rrezikojnë kreun.
Gjithsesi, sipas TMZ, një ish-trajner i tenistes japoneze, Christophe Jean, ka hedhur në gjyq Naomi Osaka dhe kërcënon t’i marrë 20% të fitimit të saj.
Personi në fjalë deklaron se ka nënshkruar një kontratë me babain e tenistes në vitin 2011. Sipas kontratës, ai ka stërvitur gratis tenisten dhe motrën e saj në këmbim të 20% të fitimit që ato do të siguronin gjatë karrierës së tyre.
“Naomi është një yll në sport dhe janë të shumtë ata që duan të përfitojnë. Është thjesht një thashethem, që do ta kalojmë”, – tha avokati i tenistes japoneze.