Në fundjavë do të zhvillohet gara e dytë sezonale e Formula 1, pikërisht në Sakhir të Bahreinit. Për Ferrarin ky është një shans i mirë për t’u rikthyer te fitorja, pas zhgënjimit në Australi.
“Është një pistë që asnjëherë nuk është e pastër, për shkak të rërës që ngrihet nga era. Kjo bën që çdo xhiro të jetë ndryshe nga tjetra dhe kjo mund të bëjë diferencën, sidomos në provat zyrtare”, – tha Vettel.
“Mjafton të mos jesh në trajektoren ideale edhe për disa centimetra dhe rrezikon të gjesh makinën në një zonë të papastër dhe gomat xhirojnë, duke humbur shumë kohë. Këtu, çdo gabim paguhet shtrenjtë”, – u shpreh më tej Vettel.
“Sezoni sapo ka nisur, por çdo garë ka rëndësi, pasi secila jep pikë për titull. Këtu në Bahrein do të kuptojmë nëse i realizuam korrigjimet, pas dështimit në Australi, ku nuk e shfrytëzuam në maksimum potencialin e makinës tonë”, – përfundoi Sebastian Vettel.