E ftuar në emisionin “Kjo javë”, ministrja e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se Parlamenti është legjitim.
Gjithashtu ministrja Spiropali theksoi se Parlamenti sipas saj është legjitim dhe se dialogu me opozitën do të jetë vetëm brenda kornizës kushtetuese dhe rendit demokratik.
“Listat i kanë bërë ata. Ajo është lista e PD.Dhe kush është të thotë që Monika Kryemadhi ishte legjitime dhe e denjë për parlamentin dhe nuk qenka zonja nga Dibra që ka marrë mandatin.
Po ashtu me radhë, me gjithë listën e kandidatëve. Myslim Basha pse qenka më i denjë se Myslim Murrizi, apo dikush tjetër që ka marrë mandatin. Ajo nuk është një listë e zgjedhur nga ne.
Të gjitha hesapet i kanë bërë pa hanxhinj. Pra, kanë gabuar politikisht në aktin që kanë marrë. A jemi ne të keqardhur për opozitën? Patjetër. Ne nuk do ta kisim dashur që opozita të dilte nga parlament.
Kjo është një republikë parlamentare dhe parlamentet nuk mund të rrëzohen as me pazar dhe as me dhunë. Dhe ne nuk jemi të gatshëm të ulemi dhe të bëjmë pazar me opozitën.
Zgjedhjet do të mbahen në 2021. Parlamenti do të vazhdojë të funksionojë sepse kushtetuta e detyron shumicën dhe qeverinë të bëjë detyrën.
Ne njohim votën dhe qytetarët si sovran. Ne nuk mund as të shantazhohemi e as të merremi peng politikisht nga opozita. Është parim mbi të cilin nuk mund të shkelim“, u shpreh Spiropali.
Në lidhje me zgjedhjet vendore, Spiropali tha se janë një mundësi për opozitën.
“Ne nuk mund t’i heqim qytetarëve të drejtën për të zgjedhur qytetarin e parë të bashkive. Ka një afat për t’u regjistruar edhe kandidatët edhe listat. Ne besojmë se do regjistrohen se nuk besoj se kanë humbur arsyen deri në këtë pikë. Mendjet racionale brenda opozitës do i bëjnë thirrje këtyre dy forcave të marrin pjesë në zgjedhje. Në të gjitha rastet ne jemi aty do paraqitemi dhe të shohim cilët do paraqiten për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe për të ardhur në garë.” -theksoi Spiropali.