MENU
klinika

Lufta në Kosovë

Kandiç: I kam parë vetë krimet e Serbisë!

02.04.2019 - 09:06

Në lidhje me bombardimet dhe luftën e Kosovës, ka folur aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç gjithashtu themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Kandiç shprehet se ka qenë vetë në Kosovë në kohën e luftës dhe thotë se i ka parë vetë krimet serbe.

“Pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pra me 25 mars në orët e para të mëngjesit, diku nga ora dy apo tre, ra zilja e telefonit”, kujton Natasha Kandic. ‘Ishte Nekibe Kelmendi. Më tha se policia është futur në shtëpinë e tyre dhe ka marrë me vete burrin e saj Bajramin, një avokat shumë i njohur dhe dy djemtë e tyre.

Nuk e di çfarë të bëj. I them se është mirë që po punojnë linjat telefonike dhe nesër në mëngjes menjëherë duhet të shkojë në polici apo shërbimin sekret të shtetit dhe të kërkojë sqarime… Këtë bisedë nuk do ta harroj kurrë.

Një ditë më pas kanë gjetur trupat e pajetë të Bajramit dhe dy djemve, pranë një pike të karburanteve, në dalje të Prishtinës. Policia thoshte se ka nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i një krimi, sepse këtu nuk ka pasur hetime, nuk ka pasur asgjë.

Nekibe Kelmendi ka vdekur në vitin 2011 dhe kurrë nuk e ka kuptuar zyrtarisht se kush i ka vrarë burrin dhe dy djemtë e saj.

Ka mbetur vetëm vajza e saj, e cila ende kërkon të vërtetën. Edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare po kërkojmë të vërtetën, por pa sukses”, u shpreh ajo.

Natasha Kandic ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ishte mysafirja e vetme nga Serbia në Kuvend, në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.