MENU
klinika

Nga Dilaver Goxhaj

“Beteja”/ Gjeneral, ka dava Kosharja!

28.04.2019 - 18:51

Në të gjitha intervistat, analizat, shkrimet e ndryshme dhe debatat që janë zhvilluar dhe po zhvillohen sot e dhjetë vite resht rreth veprimtarisë luftarake 70 ditore prej Br.138 të UÇK-së, në Koshare, (09 prill deri 19 qershor 1999), vijojnë ta glorifikojnë, duke i thënë: Beteja e Koshares.

Edhe unë, në shkrimin e parë reagues, në përgjigje të intervistave të kryera prej TV Dukagjini gjatë këtij muaji prill, e kam titulluar po me këtë emërtim.

Por me një ndryshim të vogël: e kam vendosur në thonjëza. Me këtë dua të them se nuk jam dakort që ato veprime luftarake të kësaj brigade të mund të quhen BETEJË.

Veprimtaria luftarake e një brigade këmbësorie, qoftë ajo edhe brigadë e një ushtrie klasike, nuk mund të quhet betejë; aq më shumë kur ajo këto luftime i kryen e shkëputur nga formacionet e tjera të ushtrisë ku ajo bën pjesë, sikundër veproi Br.138 e UÇK-së.
Para së gjithash, gjeneralët dhe oficerat e tipit Hysen Berisha dhe kolegët e tij, që i qëndrojnë besnik këtij glorifikimi, duhet të jenë në gjendje të bëjnë dallimin se në cilat raste kemi të bëjmë me betejë, dhe në cilat raste kemi të bëjmë me luftim.

Nëse i referohemi Artit Ushtarak Shqiptar konstatojmë se: “Beteja është tërësia e luftimeve taktike që kryhen për asgjësimin pjesë-pjesë të armikut nga njësia operative gjitharmëshe ose nga disa njësi taktike (gjitharmëshe e tankiste) në bashkëveprim me forcat vullnetare e sulmuese, për plotësimin, zakonisht, të një ose disa detyrave të caktuara të operacionit. Beteja që zgjidh detyrën më të rëndësishme të operacioni, asgjësimin e grupimit kryesor të armikut, është betja vendimtare”.

Po, çfarë duhet të kuptojmë me njësi taktike gjitharmëshe?

Me njësi taktike gjitharmëshe (këmbësorie) duhet të kuptojmë Brigadën. Ndërsa me njësi operative duhet të kuptojmë Divizionin, i cili përbëhet nga disa brigada, sasia e të cilave varet nga detyra që ka marrë ai divizion.
Gjithashtu është më se e nevojshme të qartësojmë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfshi edhe gjthë forcat e saj që sulmuan nga territori i Republikës së Shqipërisë, të gjitha së bashku nuk arritën atë madhësi që ajo të përbënte një divizion. Por, edhe nëse do të pranojmë se UÇK-ja e kishte sasinë njerëzore për të plotësuar numurin e forcave që ka një divizion, asaj i mungonin të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve që duhet të ketë një divizion për të zhvilluar një betejë; aq më shumë një betejë vendimtare, sikundër duan të na e mbushin mendjen apologjetët e Br.138, se gjoja “Betja e Koshares” ishte beteja vendimtare për çlirimin e Kosovës. Përveç që UÇK-ja nuk ishte një njësi operative kompakte sikundër janë ushtritë klasike.

Këta “teoricienët” apologjetë ushtarakë e civilë në Kosovë, që duan ta përligjin si BETEJË veprimtarinë luftarake të Br.138 gjat luftës në Koshare, e kanë edhe ngaqë nuk e dinë se beteja arrihet nëpërmjet veprimeve mësymëse (sulmit). Kjo theksohet edhe në Doktrinën Taktike të NATO-s, (ATP-35(B): 0301,0302).
Tashmë, sikundër na e bënë të qartë me gojën e tyre Hysen Berisha me të intervistuarit e tjerë, shtabi i Br.138 në fund të ditës së dytë të sulmit, në 10 prill 1999, urdhëroi ndalimin e mësymjes (sulmit) dhe e kaluan brigadën në mbrojtje.

Lind pyetja: A mund të rrethohet e asgjësohet armiku kur qëndron në mbrojtje pasive, në mbrojtje pa kundërsulme?

Por le të mundohemi të jemi sa më realistë. E dinim që forcat serbe kishin disa muaj që me batalionet e tyre kufitare kishin organizuar mbrojtjen e kufirit me Shqipërinë, me qëllim që të mos vinte asnjë lloj furmizimi nga Shqipëria për UÇK-në.
Mirëpo, duke kaluar edhe Br.138 në mbrojtje pas sulmit të saj dy ditor, do të thotë, se edhe ky formacion luftarak i yni zuri pozicione mbrojtjeje, njësoj si pala kundërshtare. Si rrjedhojë, nuk kemi asnjë veprim luftarak prej Br.138, as veprime sulmuese dhe as veprime mbrojtëse. Pra, kjo do të thotë se Br.138 nuk ka bërë as sulm e as mbrojtje, e lene më të thuhet se ka zhvilluar betejë.

Natyrshëm që na lind pyetja: Çfarë e detyroi B.138 të kalonte në pozita mbrojtëse derisa armiku nuk sulmonte, por mbrohej?!

Kësaj pyetjeje është mirë t’i kthejnë përgjigje gjenerali Hysen Berisha dhe ata që qëndrojnë pas tij.
Nuk e mohojmë që Br.138 mund të ketë dërguar apo nxjerrë luftëtarë apo grupe luftëtarësh në krahë e në shpinë të armikut, sikundër dëgjuam nga Hyseni dhe dikush tjetër, por kjo nuk do të thotë se armiku është sulmuar.
Bazuar në ekspozenë që na bëri gjenerali Hysen Berisha në intervistën e dhënë në datën 16 prill 2019, (kuptohet që ai është autorizuar edhe nga ish-komandanti i Br.138, gjenerali Rustem Berisha, ndryshe z.Rustem do ta kishte përgënjeshtruar), mësuam se ajo brigadë i ka qëndruar strikt luftës frontle mbrojtëse pasive menjëherë pas ditës së dytë të luftimeve.

Mirëpo, sikundër thuhet edhe në Doktrinën Taktike të NATO-s, mbrojtja pozicionale pasive ka për synim dështimin e sulmeve të armikut, nëpërmjet thyerjs së tij, (ATP-35(B): 0416), dhe jo asgjësim të armikut.

Atëherë, zoti komandant i Br.138 të UÇK-së dhe ju oficerët anëtarë të shtabit të saj, lutemi na ndihmoni se çfarë emërtimi dhe çfarë note t’i vemë kësaj veprimtarie luftarake të brigadës që ju komanduat dhe drejtuat.

Pra, emërtimi “betejë” i luftimeve në Koshare nga ana e kuadrit komandues të forcave të Br.138 tregon megalomaninë e tyre mburravece si dhe nivelin e ulët teorik ushtarak të tyre.
Është mirë ta mësoi gjenerali Hysen Berisha dhe kolegët e tij shtabovikë, se brigada nuk zhvillon betejë, por luftim, si në rastin kur ajo kalon në mësymje, edhe në rastin kur ajo organizon mbrojtje. Si i tillë, luftimi është një konflikt taktik zakonisht mes forcave të nivelit brigadë e poshtë. Dhe aq më shumë që në rastin tonë, Br.138 kryente veprime luftarake pa pasur në krahë njësi apo reparte të tjera të UÇK-së; gjë që as mund të mendohet se ajo mund të zhvillonte një betejë.

Nga çdo oficer që ka kryer akademi ushtarake, sikundër pretendon gjenerali Hysen Berisha, e ka më se të qartë se çdo lloj brigade e një ushtrie klasike, edhe sikur të dojë të zhvillojë betejë, ajo nuk ka as sasinë njerëzore dhe as kapacitetet e tjera të armëve e shërbimeve për të realizuar një betejë. Aq më shumë që Br.138 kishte një ndryshim total në raport me palën kundërshtare, si në aspektin inferior, përsa i përket organizimit, pajisjeve e doktrinës ashtu edhe të mundësive dhe aftësive luftarake. Prandaj mund të themi pa hezitim, se veprimet luftarake të Br.138 në Koshare s’ishin gjë tjetër veçse një luftë asimetrike.

Beteja, sikundër thamë, është një seri luftimesh taktike të lidhura mes tyre, që zgjat një ditë ose dhe më shumë se një ditë në kohë, dhe implikon forca më të mëdha sesa në një luftim, e që ka për synim jo vetëm t’i dëmtoi forcat e armikut, por t’i shpartalloi e mundësishtë t’i asgjësoi ato, (ATP-35(B): 0430). Dhe këto luftime taktike sulmuese në kuadrin e një beteje duhet të jenë të njëkohëshme, të cilat zhvillohen në një rajon dhe kohë të caktuar, për të arritur objektivat pjesore të një operacioni, (ATP-35(B): 0304).

Mund të bëjmë një lajthitje të përkohëshme dhe të pranojmë se vetëm në periudhën 26 maj deri 10 qershor 1999, kur janë zhvilluar luftime edhe në mal të Pashtrikut, të mund t’i quajmë të dy këta luftime, një betejë. Por edhe kjo është tepër e vështirë të pranohet, pasi forcat që luftonin në Koshare nuk kishin as lidhje taktike dhe as lidhje zjarri me ato që sulmuan në malin Pashtrik, pasi largësia midis tyre ishte gati 20 km. Ato lidheshin vetëm në aspektin strategjik të UÇK-së.

Është e vërtetë që SHP i UÇK-së veprimtarinë luftarake të forcave që qenë grumbulluar në Shqipërinë londineze e emërtoi “Operacioni Shigjeta”. Por atë emërtim ia vendosëm kur fillimisht planifikuam që në mënyrë të njëkohëshme, me dy brigada të tjera të sulmonim edhe nga drejtimi Dragash-Prizëren, ndërsa me dy deri tre brigade të tjera të sulmonim në intervalin Morinë e Tropojës-fshati Dobrunë. Në këtë kuptim do të kishim të bënim me një zonë gjeografike të një terreni të përbashkët veprimesh luftarake. Si rrjedhojë, vetëm nëse do të zhvilloheshin luftime të njëkohëshme në të gjithë këtë zonë gjeografike, (Koshare deri në Dragash), atëhere do të pranohej emërtimi: Operacion.

Po pse e emërtuam “Operacioni Shigjeta”? Sepse mendonim se do të vepronin njëkohësisht disa njësi taktike (5-6 brigada).

Atëhere me të vërtetë që do të kishim një operacion të përbashkët, i vetëm dhe i integruar që do të drejtohej nga një komandë e vetme, komanda e forcave të bashkuara për arritjen e një objektivi strategjik, sipas urdhërave që do të merrte nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ky plan u mbështet në njoftimet, se në Shqipëri, veç ish-pjetarëve të UÇK që qenë larguar gjatë verës së vitit 1998 dhe disa forcave që pretendonin se i përkisnin Qeverisë Bukoshi, kishin ardhur edhe mbi 10.000 vullnetarë nga diaspora. Për këtë të fundit shihni: Arkivi i Agjensisë “Kosovapress”,vëll.2, f.535 dhe Arkivi Radio Kosova e Lirë, vëll.2, f.296.

Por ky plan fillestar ndryshoi, kur u informuam saktësishtë se në Shqipëri nuk kishin mbritur mbi 10.000 vullnetarë, sikundër u propagandua në lajmet e datave 2 deri 12 prill 1999, por as sa gjysma e tyre. Njëkohësishtë, grupi i luftëtarëve që ne dërguam posaçërisht për të verifikuar mundësinë e sulmit në drejtimin Dragash-Prizëren, në kushtet e atij dimëri të ftohtë e me dëborë, na raportoi se në atë drejtim nuk mund të mësyhej, për shkak të borës me trashësi mbi një metër, përveç terrenit tepër të thyer dhe se ata që do të sulmonin kishin një përgatitje disa ditore.
Atëhere, në datën 18 prill, ndërkohë që e kishim përfunduar atë plan operacioni, e anulluam, dhe hartuam planin e dytë, i cili përfundoi në mesnatën e datave 25-26 prill 1999.

Kështu që veprimtaria luftarake e forcave që luftuan në Koshare ishte e një shkalle më të vogël, ishte një luftim që përfshinte përdorimin e disa batalioneve që vepronin në një drejtim të vetëm taktik, për të realizuar një detyrë të veçantë, por jo të njëkohëshëme me të gjitha forcat e atij operacioni që qe menduar më herët. Pra, Br.138 zhvilloi luftime në një rajon të kufizuar, duke kaluar në mbrojtje pasive, prandaj dhe s’mund të quhet betejë.
Bazuar në sasinë e forcave që përbënin Br.138 dhe në furnizimet logjistike që ajo kishte në mënyrë të pandërprerë, ne, SHP, shpresonim që kontaktin me forcat e Z III Operative kjo brigadë ta realizonte brenda 2-3 ditëve. Nëse ajo detyrë do të mund të qe realizuar brenda atij afati, më tej, në ditët e pastajme, me të vërtetë që luftimet do të merrnin karakterin e një beteje, pasi bashkë me forcat e Z III Operative do të luftohej për zgjerimin e atij korridori, gjë që do të kërkonte një seri luftimesh. Ky ishte edhe një nga qëllimet që SHP u dërgoi urdhër gjithë zonave operative të dërgonin me urgjencë në përforcim të Z III Operative jo më pak se nga një kompani, me qëllim që inisiativa të mbahej vijimisht në duart tona.

Kuptohet që ju, kuadrot drejtuese të Br.138, e keni shfrytëzuar bukur shumë emërtimin nga ana e SHP: “Operacioni Shigjeta”, prandaj dhe i emërtuat luftimet në Koshare “Beteja e Koshares”. Dhe këtë e keni bërë për t’i ngritur lavdi vetes suaj si dhe për të maskuar dështimin tuaj në plotësimin e detyrës luftarake të dhënë.

Fronti i Koshares

Pak më lartë thashë se të dy palët kundërshtare, si Br.138 edhe forcat serbe që mbronin kufirin në sektorin e Koshares, luftonin secila duke qëndruar në mbrojtje. Pra patëm dy palë kundërshtare të pozicionuara nëpër transhe, duke luftuar kryesisht me shkëmbime zjarri artilerie. Prandaj me të drejtë “Betejës së Koshares” i është dhënë edhe emërtimi tjetër: “Fronti i Kosharës”. Kjo lloj lufte vetëm nga llogoret (transhetë), vetëm me shkëmbim zjarresh artilerie e snaiperistësh, do të thotë se të gjithë ata që janë vrarë nga të dy palët, janë vrarë si rezultat i sulmeve me zjarr të artilerisë dhe të snaiperistëve. Por, fiksojeni mire: sulmi me zjarr nuk siguron kurrë fitore. Dhe ky duhet të jetë shkaku kryesor pse Br.138 nuk e kreu detyrën e ngarkuar nga SHP.

Si rrjedhojë, kjo lloj lufte që na paraqitet në Koshare na rezulton tipike si Fronti Perëndimor në Francë dhe Belgjikë në Luftën e Parë Botërore, të cilin aq bukur na e pasqyron shkrimtari Erio Remark te romani i tij “Asgjë të re nga fronti perëndimit”, vepra më e shquar e letërsisë gjermane.

Fronti Perëndimor del se ishte tipik si ky fronti yni në Koshare, një ndeshje e armatosur e kufizuar midis dy forcave kundërshtare përballë njera-tjetrës. Të dyja palët e Frontit Perëndimor, duke qenë të lodhura, vazhduan për një periudhe 51 mujore të luftonin nga llogoret, në një vijë të zgjatur llogoresh dhe punime të tjera mbrojtëse. Kjo solli si rrjedhojë një numur të madh viktimash nga të dy palët, franceze dhe gjermane. Deri në fund të nëntorit 1914 ushtria franceze kishte humbur pothuajse një milion njerëz, po ashtu edhe gjermanët patën humbje aq të larta sa që ofensiva e tyre u konsiderua një dështim i madh strategjik.

Kështu na ndodhi edhe ne me strategjinë që përzgjodhi komanda dhe shtabi i Br.138, të cilët e mohuan detyrën e vënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi nga mësymje kaluat në mbrojtje pozicionale pasive. Dhe pse bënë kët ndryshim strategjie, prandaj gjenerali Hysen Berisha e mohoi me këmbëngulje këtë detyrë, duke na thënë se: “Br.138 nuk kishte për detyrë të çelte korridorin e furnizimit nga Shqipëria.”(!!!)

Lufta në Frontin e Koshares ndodhi ngjashëm si ajo në Frontin Perëndimor edhe në aspektin e humbjeve, pavarësisht se në përmasa shumë herë më të vogla, pasi edhe përbërja e forcave ndërluftuese ishte po kaq e vogël. Fronti ynë i Koshares pësoi 114 të vrarë dhe 350 të plagosur, pothuajse po aq edhe Fronti i palës Serbe: 108 të vrarë dhe disa qindra të plagosur.

Duke e parë me këtë sy, mundoj se nuk gabojmë nëse themi: sikur ta dinim se do të ndiqej kjo strategji nga komandanti dhe shtabi i Br.138, do të ishte më mirë që të mos qe çelur fare lufta në Koshare, pasi nuk do të na qenë vrarë 114 djem nënash dhe nuk do të na ishin gjymtuar 350 të tjerë.

Por, më fal se harrova, zoti gjeneral Berisha. Për të rrëzuar këto argumentat e mia u këshilloj të ndërseni një Spiro të Tiranës, teoricien si puna juaj, i cili mund t’u ndihmoi, se edhe ai, si dhe ju, çdo lloj luftimi, edhe atë të skuadrës, e quan betejë. Por, nuk është rastësi, se edhe atë e pat përzgjedhur ai që u ka dhënë juve, Hysen, spaletat e gjeneralit.
Gjeneral, ka dava Kosharja, gjeneral; debati nuk përfundon me kaq.