MENU
klinika

Nga Stiljan Belishta

Çfarë duhet të dini për Hidrocentralin e Moglicës?

15.04.2019 - 21:04

Fshati Moglicë, pjesë e Bashkisë Maliq, që ndodhet rreth 650 metra mbi nivelin e detit, ka marrë jetë një nga Investimet më të mëdha të Huaja Direkte në vendin tonë.

Bëhet fjalë për hidrocentralin që u pagëzua me të njëjtin emër, ashtu si edhe fshati. Në vitin 2015, norvegjezët e Statkraft nisën ndërtimin e kësaj vepre dhe sot, katër vjet më pas, hidrocentrali i Moglicës është thuajse i përfunduar. Por çfarë po ndodh realisht sot me këtë vepër, me fshatin dhe cilat janë pritshmëritë për në vijim?
Diga tashmë ka përfunduar, por ritmi i punës nuk ka rënë.

Një pjesë e punëtorëve të kompanisë nënkontraktore po presin që të ndryshojnë turnin dhe kanë rrethuar një zjarr me të cilin po mundohen të zbutin të ftohtin e erës. Pjesa tjetër vijon punën. Mund të shquash që nga lartësia disa dhjetëra kamionë e makineri, që ikin e vijnë në kantier.

Jemi në Moglicë, një njësi administrative e Qarkut të Korçës, 650 metra mbi nivelin e detit, ku norvegjezët e Statkraft po ndërtojnë hidrocentralin e dytë mbi kaskadën e lumit Devoll. Është vepra më e madhe energjetike ndërtuar në vend që pas hidrocentraleve në kaskadën e Drinit në kohën e komunizmit.

Diga me asfalt e këtij hidrocentrali është një ndër më të lartat në Europë për nga lloji.

“Jemi në ditët e fundit të ngritjes së digës, e cila është 160 metra e lartë. Sigurisht metrat e fundit janë më të lehtë për t’u lartësuar dhe diferenca vihet re shumë shpejt”, na tregojnë Indrit Boriçi dhe Alban Avdiu, dy punonjësit e Statkraft, të cilët na shoqërojnë për të parë nga afër hidrocentralin e Moglicës.

Është e habitshme të shohësh metamorfozën që ka pësuar kjo zonë nën efektin e këtij investimi dhe kjo mund të lidhet si me aspektin fizik të zonës, ku janë zbatuar punime në shpatin e malit, rregullimi i rrugëve të aksesit e deri tek impakti social në zonë, ku në një fshat si Moglica, që në vitin 2015 kur nisi investimi, ishte e vështirë të gjeje një biznes, qoftë edhe atë më tipikun të një kafeneje apo të një dyqani.Projekti për hidrocentralin e Moglicës ka angazhuar saktësisht 2200 punonjës në terren në kulmin e tij.

Tashmë numri ka rënë, por sërish grupi që po punon nuk është i vogël, shkon në disa qindra. “E veçanta e Moglicës është që ka bërë bashkë shumë nacionalitete. Pra punëtorët që kanë ardhur dhe janë angazhuar, vijnë nga vende të ndryshme. Të paktën nga 23 vende të ndryshme”, na tregon Rigela, menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompani. E ashtu siç ndodh përgjithësisht me të huajt, të gjithë e duan Shqipërinë.

Drejtori i Projektit, William Burstrom, i cili drejton punën në terren, na jep pikërisht atë përshtypje tipike se i ka pëlqyer vendi ynë dhe se projekti ka qenë sfidues, por i bukur.

“Është një projekt i madh dhe sfidues. Janë 16 kilometra tunel në brendësinë e shkëmbit. Kemi punuar me ritme shumë të mira dhe shpresojmë që gjithçka të ecë sipas programit të Projektit. Sigurisht, pjesa e mbushjes së digës mbetet për t’u parë, pasi jemi në fund të sezonit të shiut.

Aktualisht jemi në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin e Digave për të koordinuar të gjitha veprimet e nevojshme në marrjen e autorizimit të fillimit të mbushjes së rezervuarit. Kemi përfunduar prej kohësh dhe investimin për linjat e transmetimit për lidhjen e hidrocentralit me rrjetin energjetik të vendit, fillimisht me ndërtimin e një linje transmetimi 220 kV, rreth 50 kilometra të gjatë.

Gjasat janë që në maj, të kemi nisur testimet e nevojshme për të konkluduar më pas me komisionimin e hidrocentralit.Aktualisht jemi në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet publike për procese të tjera gjithëpërfshirëse. Kjo është një praktikë normale që e ndjek Statkraft”, na tregon Burstrom.

Kur e pyesim për alternativën pse u zgjodh vendosja në mal e centralit, ai na sqaron se kjo është një nga praktikat më të sigurta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN