Kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski tha se komiteti qëndror i partisë do të vendosë se çfarë do të ndodhë në qoftëse VMRO-DPMNE do humbasë zgjedhjet.
Ai thekson se nga rezultatet e para është i sigurtë se profesoresha Gordana Siljanovska do të jetë presidentja e ardhshme.
“Unë as nuk mendoj se ka opcion tjetër për Republikën e Maqedonisë dhe për qytetarët, përveç opsionit që profesoresha Gordana Siljanovska Davkova është presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë.
Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, shtabo zgjedhor republikan do ta paraqesë raport para komitetit qendror të partisë se cfarë është punuar.
Komiteti Qendror është ai që vendos se si dhe në çfarë drejtimi do të lëvizë partia”, deklaroi kryetari i partisë së VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev thotë se në qoftë se nuk do të fitojë kandidati i tyre do të shpallë zgjedhje të reja parlamentare.
“Si kryetar i partisë më të madhe politike në shtet, qëndruam pas një kandidati të pavarur, për të cilin besojmë se do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, besoj në këtë, por sigurisht që është vetëm dëshira ime, përkushtim dhe pritje për të ardhmen e shtetit.
Qytetarët do të vendosin, nëse qytetarët vendosin ndryshe, unë e kam thënë këtë dhe do ta përsëris publikisht, se do të zgjedhim një datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.
Për të fituar njëri prej kandidatëve do të duhen votat e qytetarëve të cilët kanë votuar për Blerim Rekën. Por vetë Reka dhe dy partitë që e mbështetën atë, kanë deklaruar se nuk do të bëjnë pazare me votat e qytetarëve.