Ka nisur sot te “Krimet e Rënda” seanca për gjykimin e grupit të Habilajve.
Kujtojmë që seanca e parë dështoi për shkak të mosnjoftimit të të pandehurve.
Prej dy vitesh, Habilaj dhe një pjesë e grupit të tij, janë në arrest në burg në Itali dhe janë duke u gjykuar për të njëjtat vepra penale, ndërsa Krimet kanë bërë njoftimet në Vlorë, duke angazhuar policinë e rrethit.
Më tej, gjykata ka kërkuar edhe ndihmën e Interpol, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Në këto kushte, deri në njoftimin zyrtar të të pandehurve, gjykata shtyu seancën për në 30 prill.
Në Shqipëri, i vetmi nga grupi është Armand Koçerri, i cili u arrestua së bashku me Nazer Seitin, ky i fundit, u ekstradua disa muaj më parë në Itali, ku edhe është duke u gjykuar.
Prokuroria akuzon 9 të pandehurit, se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë trafikuar tonelata drogë drejt Italisë.