MENU
klinika

Nga New York Times

Erdogan duhet të ‘zgjohet’…

04.04.2019 - 14:37

Atëherë kur dukej se demokracia ishte kishte vdekur në Turqi, votuesit i dhanë një mësim presidentit të tyre autoritar, Rexhep Tajip Erdogan.

Rezultatet në zgjedhjet komunale gjatë fundjavës tregojnë se Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim kanë humbur kontrollin mbi Ankaranë, kryeqytetin dhe Stambollin, qendrën financiare dhe nisjen e karrierës politike të Erdogan.

Partia e tij ende kontrollon parlamentin, por votimi ishte humbja më e keqe zgjedhore e dy dekadave të tij në detyrë.

Rezultatet treguan se, nëse opozita mbetet e bashkuar, ajo mund të jetë një sfidë e vërtetë ndaj Erdogan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2023.

 

Rivali kryesor i presidentit, Partia Popullore Republikane dhe aleatët e saj premtuan ndryshime politike, krijimin e vendeve të punës, arsim më të mirë dhe shërbime sociale të përmirësuara. Anëtarët e opozitës kanë monitoruar me kujdes votimin për të siguruar që votat nuk janë manipuluar nga besnikët e Erdoganit.

Për më shumë se një dekadë, Erdogan ka dominuar Turqinë, duke promovuar vlerat fetare islame dhe duke i shkatërruar pa mëshirë ato që ai i sheh si kundërshtarë. Gjatë viteve, ai ka manipuluar sistemin për të fituar kompetenca ekzekutive gjithëpërfshirëse, për të kontrolluar ushtrinë dhe për të shtypur liritë civile. Turqia ende burgos më shumë gazetarë sesa çdo komb tjetër.

Nuk është për t’u habitur që votuesit i panë zgjedhjet si një referendum për Erdogan. Ekonomia e Turqisë ra në recesion në mars. Shkalla e papunësisë është tani mbi 10 për qind, dhe është deri në 30 për qind tek të rinjtë. Në 2018, vlera e lirës turke ra 28 përqind. Inflacioni është 20 për qind.

Votuesit, veçanërisht të rinjtë, janë gjithashtu të shqetësuar për korrupsionin.

Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore kishin humbur shpresën se Turqia mund të jetë një aleat i besueshëm, duke pasur parasysh që Erdogan nuk respekton aspak vlerat demokratike.

Një shqetësim është fakti se Erdogan mund të përpiqet të rrisë mbështetjen duke ndërmarrë operacione ushtarake me kërcënime të ashpra kundër aleatëve kurdë të Amerikës në Siri. Një veprim i tillë mund ta dëmtojë, veçanërisht nëse operacionet shkojnë keq.

Sidomos tani që opozita politike e Turqisë ka treguar se është e gjallë dhe e aftë të luftojë përsëri.

Editorial i New York Times