MENU
klinika

Zgjedhjet lokale në Turqi

Erdogan ‘mbijetoi’, por humbi Ankaranë

01.04.2019 - 07:35

Partia e Presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka humbur kontrollin e kryeqytetit, Ankara, në zgjedhjet lokale në atë që shihet si “pengesë” për 16 vitet e tij në pushtet. Por, AKP-ja mori kontrollin e Stambollit.

Në nivel kombëtar, aleanca e kryesuar nga AKP e presidentit ka fituar më shumë se 51% të votave në zgjedhjet komunale.

“Nëse ka ndonjë mangësi, është detyra jonë t’i korrigjojmë ato,” tha Erdogan. Më parë kishte thënë se zgjedhjeti kishin të bënin me “mbijetesën” e vendit dhe partisë së tij,

Zgjedhjet erdhën mes një rënie ekonomike dhe u konsideruan gjerësisht si një referendum mbi udhëheqjen e tij.

Më shumë se 57 milionë njerëz në vend u regjistruan për të votuar për kryetarët e komunave dhe këshilltarët.

Mediat turke thanë se kandidati sekularist i Partisë Republikane Popullore (CHP) Mansur Yavas kishte fituar bindshëm në Ankara.

“Njerëzit kanë votuar në favor të demokracisë, ata kanë zgjedhur demokracinë,” tha udhëheqësi i CHP Kemal Kilicdaroglu.

Ndërkohë Erdogan, u zotua të përqëndrojë udhëheqjen e tij në ekonominë turke përpara zgjedhjeve kombëtare të planifikuara për t’u zhvilluar në vitin 2023.

Gazetari i shquar Rusen Cakir tha se votimi ishte “aq historik sa ai i vitit 1994”, duke iu referuar vitit kur Erdogan u zgjodh kryetar i bashkisë së Stambollit.

Në kryeqytetin e Ankarasë, opozita ka fituar kontrollin pas një çerek shekulli. Nëse do të merrte edhe Stambollim, do të ishte një rezultat i habitshëm në një vend ku 90% e mediave është pro-qeveritare dhe Presidenti Erdogan i ka quajtur kundërshtarët e tij “terroristë”.

Partia Demokratike e Popullit pro-kurdë e opozitës (HDP) tha se zgjedhjet ishin të padrejta dhe nuk pranuan të paraqitnin kandidatë në disa qytete. Disa nga drejtuesit e saj janë burgosur për akuza terroriste, akuza që ata refuzojnë.

Tubimet e Erdogan janë transmetuar kudo në media. Presidenti u kritikua sepse shfaqi në mënyrë të përsëritur pamjet nga sulmi terrorist i kohëve të fundit në Zelandën e Re, në të cilën një supremacist i vetë-deklaruar i bardhë transmetoi videon duke vrarë 50 vetë në dy xhami të Christchurch.