A mundet që një libër mbi historinë e artit të shndërrohet në bestseller? Ernst Gombrich ia doli mbanë. Një nga historianët më të famshëm të artit të shekullit XX, Ernst Hans Josef Gombrich lindi në Vjenë më 30 mars 1909, i njohur më pas thjesht si Sir Gombrich.
Prej lindjes pati fatin të rritej në një familje borgjeze të pasur dhe të kulturuar të përfshirë në gjallërinë e larmishme kulturore të Vjenës. Nëna, Leonie Hock, ishte një pianiste e afirmuar, ndërsa i ati, Karl Gombrich, ndonëse një avokat, arriti të krijonte marrëdhënie dhe kontakte me rrethet letrare lokale.
Gjatë studimeve universitare, ndoqi kurse të historisë së artit në Universitetin e Vjenës, duke pasur si profesorë, ndër të tjerë Hans Tietze, Julius Von Schlosser dhe Josef Strzygowski. Në vitin 1933 u diplomua me tezën mbi arkitekturën manieriste të artistit italian Giulio Romano. Tre vjet më vonë u martua me Ilse Heller, nxënëse e së ëmës. Nga martesa, një vit më pas, lindi Richard, djali i tyre, sot indolog dhe dijetar i njohur në historinë e budizmit.
Pas Anschlussit të pashmangshëm të vitit 1938, madje edhe në Austrinë e aneksuar Gjermanisë naziste, rrethanat për qytetarët hebrenj filluan të përkeqësoheshin. Në të vërtetë, prindërit e Gombrich ishin hebrenj. Pas një varg bojkotimesh, rrugëzgjidhja e vetme ishte zhvendosja. Kështu, në vitin 1939, ai emigroi në Londër me familjen, ku siguroi strehimin dhe një post në Bibliotekën Warburg të institutit homonim të Universitetit të kryeqytetit britanik.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, punoi për Qeverinë e Madhërisë së Saj për t’iu rikthyer më pas jetës akademike, duke shkruar libra dhe ese të shumta, si dhe duke marrë çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Kur mbushi 92-vjeç, pasi e kaloi tërë jetën e tij “të zhytur” në art, vdiq në Londër, në shtëpinë e tij të dytë, një të shtunë të acartë angleze në nëntor të vitit 2001.
Le të kujtojmë Sir Ernst Gombrich përmes veprës së tij më të famshme letrare-popullore: monumentalen “Historia e artit”. Vepra është një “roman” i vërtetë kult për të dashuruarit pas artit; me 5 milion kopje të shitura, është pa dyshim një bestseller botëror që ka marrë vëmendjen e publikut në çdo cep të planetit.
Me një prozë të kapshme edhe për amatorët, ai është në gjendje të shtjellojë konceptet në mënyrë të kuptueshme që shpesh i drejtohen një audience me kalibër më të gjerë. Në fakt, falë prirjes së tij informative, nga gjuha e qartë dhe e thjeshtë, por jo e thjeshtë, Gombrich ka arritur të ndërtojë një rrëfim “pop” që nganjëherë dështon në mësimin e historisë së artit.
Falë talentit të lindur shpjegues, një mendje e ndritur si ai arrin të na shoqërojë natyrshëm përmes proceseve krijuese të vazhdueshme dhe shumëvjeçare që kanë magjepsur, trazuar dhe nxitur ndërgjegjen e artistëve me kalimin e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Në fakt, duke shfletuar faqet e këtij libri të bukur, mund të shijojmë impaktin e fortë me historinë e artit perëndimor.
Historia e merr spunton nga gjeneza njerëzore, duke huazuar fjalët e studiuesit, me “njerëzit që njëherë e një kohë me baltë të kuqe përvijonin më së miri format e bizonit mbi paretet e një shpelle”. Për të arritur deri tek njerëzit të mbytur me çështjet bashkëkohore të kohës sonë që “i blejnë ngjyrat dhe vizatojnë posterat reklamuese”. Pa harruar dhe duke kujtuar atë me ironi delikate, që dukshëm në mes dhe “gjatë shekujve” ata “bënë shumë gjëra të tjera”.
Është e kuptueshme që nuk mund të kërkohet një analizë e plotë e çdo periudhe artistike, madje as biografia e ndonjë artisti. Tjetërkund synon Gombrich: ai dëshiron të na transmetojë pasionin e tij verbues. Një pasion mbizotëruesi aftë të na shtyjë të thellohemi drejt asaj që na ka intriguar më shumë, duke na siguruar mjetet e para, por të nevojshme për të kuptuar misterin dhe magjepsjen që gjithmonë fshihet tek arti.
“Të gjithëve na pëlqen bukuria e natyrës dhe të gjithë u janë mirënjohës atyre artistëve që e ruajnë atë bukuri në veprat e tyre”, – shprehet pedagogu austriak Ernst Gombrich.