MENU
klinika

Ekspertiza balistike

Grabitja në Rinas/ Zbardhen 13 identitetet që ka përdorur Admir Murataj

14.04.2019 - 20:46

Mediat greke kanë zbardhur 13 identitetet e rreme të përdorura nga Admir Murataj, gjatë periudhës që ka qenë në arrati.

Sipas tyre, 48-vjeçari ka përdorur gjatë kësaj kohe identitet, si Kristaq Murataj, Admir Murati, Kristaq Murati, Admir Murataz, Kristaq Murataz, Admir Xhaferi, Kristaq Xhaferi, Admir Nikaj, Kristaq Nikaj, Xhafer Nikaj dhe Kristaq Azemi. Ndërkohëm një tjetër detaj, i nxjerrë nga mediat greke, është se autoritetet atje kanë pasur dyshime se Murataj fshihet në Kosovë, ndërsa ende nuk është bërë ndonjë lidhje për aktivitetin e tij atje.

Ndërkohë, hetimet e kryera deri më tani, nuk kanë sjellë asnjë arrestim, megjithëse Policia dhe Prokuroria pretendojnë se kanë në dorë prova të forta.

Burime thonë se është gjetur edhe një telefon, që i është nënshtruar ekspertimeve. Ndërkohë, nga rindërtimi i ngjarjes, rezulton se Murataj tentoi të digjte pranë Urës së Tapizës në Tiranë, mjetin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, por pasi pikasi Policinë u përfshi në një përleshje me armë. Sipas një raporti lidhur me njoftimin e Policisë, bëhet e ditur se furgoni ka qenë në orën 14:57 minuta te porta e zjarrfikësve në rrethimin e Aeroportit të Rinasit dhe në orën 14:59 minuta ka qenë në pistë, duke ngarkuar paratë në furgon. Pas ekspertizës së mjetit, ka rezultuar se ai ishte modifikuar.

Në shasi i ishte vendosur një shinë treni për të bërë të mundur tërheqjen e blloqeve të betonit të vendosura në portat e aeroportit.

Po ashtu, pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, rezulton se automjeti që u dogj pas ngjarjes në Bathore, ka qenë i parkuar 5 ditë para grabitjes. Ndërkohë, në lidhje me hetimet e vrasjes së Muratajt, ende nuk është dhënë një përgjigje shkencore, se kush ka qëlluar, ndërsa ajo që dihet është, se është qëlluar me plumb në kokë.

Në momentin që po tentonin t’i vinin flakën për të zhdukur provat, grabitësit kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia. Forcat FNSH janë afruar dhe u kanë bërë thirrje “Ndal, Policia!”. Në këtë kohë, grabitësit kanë nisur të qëllojnë me armë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u janë kundërpërgjigjur me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit. Në kohën kur autorët po vijonin të qëllonin, grupi i gatshëm është shpërndarë në mënyrë që t’i rrethonte. Dy prej efektivëve kanë hipur në një kodër, në mënyrë që të kishin fushëpamje më të qartë. Ndërsa autorët kanë përfituar nga ky moment për t’u larguar.

Kanë braktisur furgonin pa arritur që ta digjnin dhe kanë kaluar përroin përmes një ure të vogël dhe janë larguar me një mjet tjetër.