Komisioneri evropian, Johanes Hahn shprehet i bindur se në fund të muajit Maj, Komisioni Evropian do të paraqesë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Hahn u shpreh se Shqipëria ka bërë progrees shumë të mirë sipas kritereve të miratuara njëzëri nga shtetet anëtare, në një intervistë të dhënë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA).
“Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në raport me kriteret e pranuara nga shtetet anëtare. Reforma gjithëpërfshirëse në Drejtësi është ekzemplare. Për më tepër, pritshmëritë legjitime të shqiptarëve duhet të vlerësohen nga shtetet e BE-së.
Megjithatë, për shembull, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në sektorë që shqetësojnë veçanërisht shtetet anëtare, duhet të rriten”, vazhdoi Hahn.
I pyetur nëse shtetet e BE-së do të respektojnë rekomandimin e Komisionit, ai u shpreh se BE duhet të eksportojë stabilitet tek fqinjët e afërt.
“Nëse BE-ja nuk eksporton vazhdimisht stabilitet tek fqinjët tanë të afërt, atëherë do të importojë destabilitet. Bëhet fjalë për kredibilitetin e BE-së.
Vetë shtetet anëtare vendosën qershorin si afatin për të vendosur hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shtyrja dhe mosnjohja e progresit objektiv të bërë nga vendet kandidate do të ketë pasoja dramatike për këto vende dhe rajonin në tërësi”, theksoi komisioneri.