Nga Avis Gjyshja
Sot është e qartë për të gjithë, që humbësit e mëdhej të Luftës së Dytë Botërore janë rikthyer përsëri në ballë të kombeve ku shkëlqejnë dhe një herë tjetër nga e para me pasurinë dhe kulturën e tyre.
Pavarësisht arsyetimeve të lloj lloj njerëzve më të ditur se unë në këto fusha, mua më vjen mirë të them se shkakun e suksesit të tyre, unë personalisht e gjej tek kultura e këtyre kombeve, tek kodet e tyre të nderit dhe tek respekti absolut ndaj ligjit. Gjithë jetën time kishja pyetur e lexuar për pilotët kamikazë japonezë, për këta “divine winds” të çuditshëm e të pakuptueshëm për mentalitetin tonë, dhe asnjëherë përgjigjet që mora nuk më bindën dot për forcën e asaj që i çonte ata njerëz tek sakrifica më superiore.
Tani unë e di se ajo vjen nga kodet e tyre të lashta të nderit, nga poemat e shkruara prej samurajve para vetëvrasjeve të tyre të lavdishme dhe nga kultura e kombeve të tyre që në këtë rast çfaqet si bindje me koment zero ndaj thirrjes së atdheut….
Ngjarja dhe personazhi i mëposhtëm, nuk është i nivelit të “divine wind” (mua më vjen më për mbarë të përdor këtë emërtim të shejtë në vend të termit kamikaz që sot është duke përjetuar një praktikë bastarde përdorimi) bile ai nuk është as dhe i dorëzuari i fundit i Ushtrisë Perandorake Japoneze të Luftës së Dytë Botërore. Por tek ai, duket shpirti i këtyre popujve që dhe pas ndëshkimeve të historisë e shkatërrimit total, gjetën përsëri forca dhe i ringritën kombet e tyre, në majën e Olimpit të lavdisë.
……………………….
Hiro Onoda (19 Mars 1922 – 16 Janar 2014) ishte një nëntoger i Skuadrave Speciale të Ushtrisë Perandorake Japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 26 dhjetor 1944, eprorët e nisën Onoda-n me shërbim në ishullin Lubang të Filipineve. Detyra e tij ishte të bënte gjithçka që të mundëte për të penguar marrjen e ishullit nga kundërshtarët e Japonisë. Si detyrë e parë për të, ishte shkatërrimi i nje piste fluturimi për aviona të vegjël dhe e një porti po ashtu të vogël që gjëndej në atë ishull. Onoda u urdhërua që në asnjë rrethanë ai nuk duhej të dorëzohej i gjallë..
Pasi mbërriti në ishull, Onoda ju bashkua një grupi ushtarësh japonezë, të cilët ishin dërguar më herët se ai në Lubang. Komandantët e atij grupi, me grada më të mëdha se sa Onoda e penguan atë që të shkatëronte portin dhe pistën e fluturimit, gjëra të cilat më 28 shkurt 1945, ndihmuan mjaft për hyrjen në ishull të forcave të Shteteve të Bashkuara. Brënda një kohe të shkurtër pas kësaj date, të gjitha forcat japoneze që gjëndeshin në atë ishull, me përjashtim të Onoda-s dhe tre ushtarëve të tjerë, vdiqën ose u dorëzuan tek amerikanët.
Onoda, duke mos pasur asnjë lidhje me botën moderne, nuk mori vesh asgjë për dorëzimin e Japonisë dhe mbarimin e luftës.
Gjatë gjithë qëndresës së tyre, Onoda dhe shokët e tij vazhduan të kryenin sistematikisht aktivitete guerilje dhe bile u përfshinë dhe në disa përplasje me armë zjarri me policinë vëndase të cilën ata e mendonin si një repart të ushtrisë armike.
Në Tetor të vitit 1945, një nga ushtarët e grupit gjeti një fletëpalosje të lënë pas nga banorët e ishullit në të cilën thuhej se lufta kish përfunduar dhe se Japonia qe dorëzuar që më 15 Gusht të atij viti.
Onoda dhe shokët e tij menduan se fletushka ishte propagandë e aleatëve, sepse po të qe e vërtetë ajo që shkruhej aty, ata nuk do të ishin qëlluar me armë zjarri. Nga fundi i vitit 1945, avionët hodhën përsëri fletëpalosje në territorin ku ata fshiheshin. Në ato fletëpalosje ishte pasqyruar dhe një urdhër dorëzimi nga gjenerali Tomoyuki Yamashita i Armatës së Katërt të Ushtrisë Perandorake Japoneze që mbulonte dhe zonën e Filipineve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Grupi i Onoda kishte një vit që vazhdonte të fshihej dhe kjo fletushkë nqse merrej seriozisht ishte e vetmja dëshmi që provonte se lufta kish përfunduar. Ata e studiuan me kujdes fletushkën për të përcaktuar nëse ishte e vërtetë apo jo dhe në fund konkluduan se ajo duhet të ishte një tjetër grackë e armikut. Në shtator të vitit 1949, një nga të katër anëtarët e grupit, u shkëput nga Onoda dhe dy të tjerët, dhe pasi qëndroi për rreth 6 muaj vetëm nëpër pyje, u dorëzua më në fund tek forcat filipineze. Në vitin 1952, autoritetet lokale në bashkëpunim me ato japoneze, duke e ditur dhe nga informacionet e të dorëzuarit se kush ishin pjestarët e tjerë të grupit, grumbulluan letra dhe fotografi të familjeve të tyre dhe i hodhën nga aeroplanët duke ju kërkuar pjesës së mbetur të grupit që të dorëzoheshin. Dhe përsëri të tre ushtarakët e pabindur e morën këtë si mashtrimin e radhës.
Një tjetër pjestar i grupit, në qershor të vitit 1953, u plagos në këmbë gjatë një përplasjeje me peshkatarët lokalë, ngjarje pas së cilës ai e pati të vështirë të rikuperohej derisa më 7 maj 1954, duke mos mundur të vraponte për të shpëtuar, u vra nga një grup që ishte vënë në ndjekje të tyre. Ndërsa ushtari tjetër, i fundit shok I Onoda-s, u vra nga nga policia lokale më 19 tetor 1972, kur ai dhe Onoda, si pjesë e aktiviteteve të tyre guerile, po digjnin orizin që ishte mbledhur nga fermerët e ishullit.
Pas kësaj date, në zbatim të urdhërit të eprorëve të tij, të datës 26 Dhjetor 1944, për të mos u dorëzuar kurrë, Onoda ngeli fare i vetëm në pyjet e ishullit Lubang të Filipineve.
Kohë më vonë, më 20 shkurt 1974, thellë në pyjet e pabanuara të ishullit, Onoda u takua me një burrë japonez, i cili quhej Norio Suzuki. Suzuki nuk ishte rastësisht atje. Ai ishte një eksplorator profesionist që kishte marrë përsipër të kërkonte e të gjente nëntoger Onoda-n. Nuk zgjati shumë dhe Onoda me Suzuki-n, si dy japonezë të vërtetë u bënë miq, por edhe pas kësaj miqësie e shpjegimeve të hollësishme të Suzuki-t për përfundimin shumë kohë më parë të Luftës, Onoda përsëri nuk pranoi të dorëzohej, duke thënë se ai si ushtarak, ai mund ta bënte këtë, vetëm me urdhër të një oficeri epror. Suzuki, i dëshpëruar në kulm, u kthye në Japoni, ku duke paraqitur fotografitë e tij dhe të Onoda si provë e takimit të tyre, kërkoi ndihmë nga qeveria japoneze. Pa shumë vështirësi, qeveria japoneze, gjeti ish oficerin epror të Onoda, Majorin Yoshimi Taniguchi, i cili pas lufte kish zgjedhur të punonte si libra shitës. I urdhëruar nga qeveria japoneze, ish eprori i lartë i Hiro Onoda-s, fluturoi për në ishullin Lubang të Filipineve, ku më 9 mars 1974, me ndihmën e Norio Suzuki-t, arriti më në fund të takohet me Onoda-n duke përmbushur kështu njëherësh dhe një premtim të dhënë në vitin 1944, kur në momentin e nisjes së Onoda-s për në ishullin Lubang i kishte thënë vartësit të tij, se “çfarëdo që të ndodhë, unë do të vij tek ty”.
Pas përshëndetjeve ushtarake, Majori Yoshimi Taniguchi, i komunikoi nëntogerit urdhërat e mëposhtëm të lëshuara që gati 30 vjet më parë:
1.Në zbatim të urdhërit të Komandës së Lartë Perandorake, trupat e Zonës së Katërt (ku përfshiheshin dhe Filipinet) pushojnë të gjitha llojet e aktiviteteve luftarake.
2.Në përputhje me urdhërin Nr. A-2003, të Komandës së Shtabit Ushtarak të Zonës së Katërt, Skuadra Speciale (në të cilën bënte pjesë dhe Hiro Onoda) lirohej menjëherë nga të gjitha detyrat ushtarake.
3.Njësitë dhe individët nën komandën e Skuadronit Special, të ndërpresin menjëherë të gjitha veprimtaritë dhe operacionet ushtarake dhe të vendosen nën komandën e gradës superiore më të afërt. Kur kjo nuk është e mundur, të kontaktojnë menjëherë forcat amerikane ose Filipineze dhe të ndjekin udhëzimet e tyre.
Kështu pra, Onoda lirohej zyrtarisht nga detyra dhe në bazë të urdhërit të Komandës Perandorake, dorëzohej tek autoritetet lokale…
.. Eshtë për tu shënuar, dhe unë dua ta theksoj këtë, se në aktin e dorëzimit të tij, përveç shpatës së oficerit dhe inventarit të mjeteve luftarake që ai dispononte u shënua edhe thika të cilën ai e ruante që nga viti 1944, si dhuratën e nënës së tij për të vrarë veten në rast se kapej rob.
Përshtypje të jashtë zakonëshme bëri dhe uniforma e tij që edhe pas 30 vjetësh jetë nëpër pyje, dukej akoma në gjëndje të përdorshme…
Ngjarja bëri bujë në gjithë botën dhe megjithëse Onoda kishte vrarë njerëz, kishte kryer sabotime dhe ishte përzjerë dhe në luftime me policinë, rrethanat (domethënë, fakti se ai besonte se lufta ishte ende në vazhdim) u morën në konsideratë nga presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos i cili pasi mori zyrtarisht shpatën e të dorëzuarit të fundëm të luftës në Filipine, akordoi dhe një falje për të.
Kthimi i Onoda-s në Japoni, shoqëruar dhe nga zhurma e madhe e medias u kthye në një ngjarje që pati jehonë në gjithë botën….
Por shpejt Onoda filloi të ndjehej keq. I pakënaqur nga ndryshimi i vlerave tradicionale japoneze dhe njëkohësisht duke qenë i bindur se ai kish bërë vetëm detyrën e ushtarakut, të qënit në qëndër të një vëmendje kaq të madhe filloi ta sëkëlldiste aq sa ai vendosi të linte Japoninë dhe të fillonte një jetë tjetër diku larg.
Pavarësisht kësaj gjëndjeje shpirtërore, ai mundi të shkruante dhe një libër kujtimesh në të cilën tregonte për jetën e tij si luftëtar gueriljesh gjatë asaj periudhe 30 vjeçare që ai qëndroi në ishullin Lubang.
Por për hatër të së vërtetës, në atë libër ai shmangte të vërtetën e vrasjes së shumë njerëzve, gjë për të cilën mediat filipinase bënë zhurmë të madhe. Ndryshe nga mediat filipinase, japonezët e ngritën në qiell heroin e tyre. Qeveria japoneze i ofroi atij një shumë të madhe parash, të cilën ai e refuzoi dhe mbas insistimit të qeverisë ai vendosi që ato para ti kalonin memorialit të të rënëve në Japoni, memorial i cili njihet me emrin Yasukuni Shrine dhe është më i famshmi i kësaj natyre në Japoni.
Në Prill të vitit 1975, duke ndjekur shembullin e vëllait të tij më të madh, Onoda u largua nga Japonia për në Mato Grosso do Sul të Brazilit, vënd ku ai dhe u martua dhe filloi një jetë të thjeshtë prej rritësi lopësh. Dhe po këtu, do të vinte një ditë, që Asambleja Legjislative e Mato Grosso do Sul, në shënjë respekti për figurën e pakorruptuar të ish ushtarakut, e të aktivistit të palodhur civil, do ti jepte Onoda-s titullin e Qytetarit të Nderit.
Diku pas viteve 80’, gjatë kohës që ai bënte jetën e blegtorit të thjeshtë në xhunglën braziliane, Onoda mësoi nga medja, se një i ri japonez kishte vrarë të dy prindërit e tij. I dëshpëruar, nga humbja e vlerave të traditave japoneze, ai u kthye përsëri në Japoni dhe në vitin 1984 themeloi dhe një kamp edukativ për të rinjtë, i cili funksionon akoma edhe sot e kësaj dite dhe njihet me emrin, Onoda Shizen Juku.
E fundit gjë që ja vlen të përmëndet nga jeta e tij është dhe rikthimi në ishullin Lubang të Filipineve.
Në vitin 1996, Onoda, ish ushtaraku i sabotimeve, tashmë i plakur, pa armë e pa uniformë, i shtytur nga një mori ndjenjash kontradiktore, rikthehet dhe njëherë mbrapsh në ishullin Lubang. Në shënjë respekti e mbase dhe pendese për dëmet e kryera, ai dhuroi me gjithë zemër për shkollën lokale të atij ishulli, gjithë llogarinë e tij bankare e cila kapte shumën modeste të rreth dhjetë mijë dollarëve amerikanë….
..Onoda vdiq nga një pushim zemre më 16 janar 2014, në Spitalin Ndërkombëtar të Shën Lukës, në Tokio, kryeqytetin e mëmëdheut të tij..