MENU
klinika

Rekomandimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Integrimi/ Hahn: Mos hapja e negociatave me pasoja dramatike

26.04.2019 - 21:28

Komisioni i Bashkimit Europian pritet të paraqesë në maj një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këto deklarata janë të Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, i cili nga ana tjetër paralajmëron se mosnjohja e progresit të bërë nga vendet kandidate do të ketë pasoja dramatike për këto vende dhe për rajonin në tërësi.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johanes Hahn shprehet i bindur se në fund të muajit maj Komisioni Europian do të paraqesë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sipas kritereve të miratuara njëzëri nga shtetet anëtare.

Duke folur në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Hahn e quajti ekzemplare reformën në drejtësi që po ndërmerr Shqipëria.

“Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në raport me kriteret e pranuara nga shtetet anëtare. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është ekzemplare. Për më tepër, pritshmëritë legjitime të shqiptarëve duhet të vlerësohen nga shtetet e BE-së. Megjithatë, për shembull, përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, në sektorë që shqetësojnë veçanërisht shtetet anëtare, duhet të rriten”, shtoi Hahn.

Komisioneri paralajmëroi se nëse BE-ja nuk eksporton vazhdimisht stabilitet tek fqinjët e afërt, atëherë do të importojë destabilitet.

Për sa i përket pasojave në rast se rekomandimi pozitiv i Komisionit nuk do të miratohet, Hahn ritheksoi se “bëhet fjalë për kredibilitetin e BE-së.

“Vetë shtetet anëtare vendosën qershorin si afatin për të vendosur hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shtyrja dhe mosnjohja e progresit objektiv të bërë nga vendet kandidate do të ketë pasoja dramatike për këto vende dhe rajonin në tërësi”, theksoi ai.