MENU
klinika

Profil

Julian Assange dhe arrestimi që ‘bëri lëmsh’ gjithë botën

13.04.2019 - 12:53

Arrestimi i tij ditët e fundit “ka bërë lëmsh” gjithë botën. Emri i tij ka qenë në titujt kryesorë të gazetave anembanë botë që kur ai u arrestua të enjten në Ambasadën Ekuadoriane në Londër.

Por kush është Julian Assange?

Australiani Assange, programues, gazetar dhe aktivist, është themelues i WikiLeaks-it, organizatë e cila publikon informacione sekrete dhe dokumente të klasifikuara nga burime anonime “denoncuese”.

Jeta e hershme

Gazetari, programuesi kompjuterik dhe aktivisti Julian Assange ka lindur më 3 korrik 1971, në Townsville, Queensland, Australi. Assange kishte një fëmijëri të pazakontë, pasi ai kaloi disa nga vitet e tij të para duke udhëtuar me nënën e tij, Christine dhe njerkun e tij, Brett Assange. Çifti punoi së bashku për prodhime teatrale.

Marrëdhënia midis Brett dhe Christine më vonë u përkeqësua, dhe Assange dhe nëna e tij u detyruan të zhvendoseshin disa herë. Me gjithë lëvizjen, Assange përfundoi duke ndjekur afërsisht 37 shkolla të ndryshme.

Themelimi i WikiLeaks

Assange zbuloi pasionin e tij për kompjuterat kur ishte adoleshent. Në moshën 16 vjeç, ai mori kompjuterin e tij të parë si një dhuratë nga nëna e tij.. Ndërhyrja e tij në 1991 në terminalin kryesor për Nortel, një kompani telekomunikuese, e futi atë në telashe.

Assange studioi matematikë në Universitetin e Melburnit. Ai u largua pa e mbaruar tërësisht duke pretenduar se ai u largua nga universiteti për arsye morale; Assange kundërshtoi studentët e tjerë që punonin në projekte kompjuterike për ushtrinë.

Ai themeloi Wikileaks, që publikon dokumente konfidenciale të administratës amerikane, në vitin 2006, por në Prill të vitit 2010 që ai do të pushtonte faqet e para të gazetave, kur publikoi pamjet e ushtarëve amerikanë që qëllonin për vdekje 18 civilë në Irak. Ai e promovoi dhe e mbrojti videon, ashtu sikurse bëri me publikimin e materialeve të klasifikuara të ushtrisë amerikanë në Afganistan dhe Irak, në korrik dhe tetor të të njëjtit vit.

Akuzat për sulme seksuale

Që nga gushti i vitit 2010, Assange kishte qenë nën hetime nga policia suedeze për akuzat e dy grave për ngacmim seksual. Ai kishte ikur në Londër, dhe pasi i ishte nënshtruar gjykimit kishte ikur në Ambasadën e Ekuadorit duke kërkuar azil politik.

Azil politik në Ambasadën e Ekuadorit në Londër

Sipas një artikulli të New York Times, Assange erdhi në Ambasadën e Ekuadorit në Londër në qershor 2012, duke kërkuar të shmangte ekstradimin në Suedi. Atë gusht, Assange iu dha azil politik nga qeveria e Ekuadorit, e cila, sipas Times, “e mbronte atë nga arrestimi britanik, por vetëm në territorin e Ekuadorit, duke e lënë të prekshëm nëse ai përpiqej të largohej nga ambasada për të shkuar në një aeroport ose tek stacioni i trenit “.

Në shkurt të vitit 2016, një panel i Kombeve të Bashkuara vendosi që Assange ishte arrestuar në  mënyrë arbitrare dhe rekomandoi lirimin e tij dhe kompensimin për heqjen e lirisë. Megjithatë, qeveritë suedeze dhe britanike i hodhën poshtë ato.

Përse u largua nga ambasada?

Që nga koha e dhënies së azilit nga qeveria e Ekuadorit, autoritetet britanike ishin në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Ekuadorit, duke i kërkuar që t’ia refuzojnë shtetësinë. Duke folur për arrestimin e Assange, ministria e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe njoftoi se: “Ngjarjet e sotshme janë rrjedhojë e një dialogu të vazhdueshëm mes dy vendeve tona”. Që nga ndërrimi i administratës qeveritare në Ekuador, ka pasur raste kur marrëdhëniet mes qeverisë së Ekuadorit dhe Assange ishin mjaftë të tensionuara.

Ndikimi në garën presidenciale të vitit 2016 në SHBA

Assange dhe WikiLeaks u kthyen në titujt e gazetave gjatë verës së vitit 2016. Në fillim të korrikut, WikiLeaks publikoi ​​më shumë se 1.200 email nga serveri privat i Clintonit gjatë qëndrimit të saj si sekretare e shtetit. Më vonë WikiLeaks publikoi një raund shtesë të postës elektronike nga Komiteti Kombëtar Demokratik që tregoi një përpjekje për të minuar kundërshtarin kryesor Clinton, Bernie Sanders, duke çuar në dorëheqjen e kryetarit të DNC Debbie Wasserman Schultz.

Në prag të zgjedhjeve, Assange deklaroi se nuk dëshironte të ndikonte në rezultatet e zgjedhjeve. “Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016,” shkroi ai, fituesi i vërtetë është publiku i SHBA, i cili është më i informuar si rezultat i punës sonë”. Menjëherë pas kësaj, Trump u shpall fitues i zgjedhjeve.

Arrestimi

Në prill të vitit 2019, pasi Ekuadori njoftoi tërheqjen e azilit të Assange, themeluesi i WikiLeaks u arrestua në ambasadën e Londrës. Pak kohë më pas, u njoftua se autoritetet e SHBA kishin akuzuar Assange për komplotimin me ish-analistin e zbulimit të Ushtrisë Chelsea Manning për të hyrë në një kompjuter qeveritar në Pentagon.

Çfarë do të ndodhë me të tani e tutje?

Assange në momentin që u arrestua, u dërgua në gjykatën e Londrës, ku me këtë rast i mohoi akuzat se ai ka tentuar që t’i ikë drejtësisë. Për këtë veprim ai përballet me 12 muaj burgim në Britani.

Ai do të shfaqet në gjykatë më 2 Maj të këtij viti. Mësohet se gjykatës do t’i kërkohet nga prokuroria transferimi për në SHBA, kërkesë kjo që pritet të hasë në rezistencë nga mbrojtja e Assange.