MENU
klinika

"Kasaforta" sekrete greke

Fondet që blejnë politikanë e imamë në Ballkan

25.04.2019 - 08:15

Në 16 tetor 2018 është ngritur shumë zëri në mbledhjen e kabinetit të qeverisë greke. Në këtë ditë debatuan ashpër ministri i brendshëm Panos Kammenos dhe ministri i jashtëm Nikos Kotzias.

Të dy shkuan aq larg sa akuzuan njëri-tjetrin për korrupcion dhe keqpërdorim detyre. Një ditë më pas Kotzias dha dorëheqje dhe akuzoi kryeministrin se e kishte lënë në baltë e pa mbrojtje në atë debat, shkruan fillimisht prestigjiozja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Çfarë ndodhi në atë debat?

Ashtu siç u shpërndanë edhe nëpër media greke „To Vima“ dhe më pas edhe te „Eleftheros Typos“, ministri i brendshëm Kammenos kishte folur me zë të lartë për 50 milionë eurot të dhëna nga investitori amerikan George Soros kundrejt ministrit të jashtëm Kotzias, ku ky i fundit me këto para duhej ti ‘blente’ (lexo: korruptonte) deputetët e Kuvendit të Shkupit. Në mediat e lartëpërmendura u shkruajt gjithashtu se mes përfituesve të këtyre parave ishin edhe Ali Ahmeti (400 mijë euro) dhe Ziadin Sela (230 mijë euro). Me rëndësi ishte të sigurohej ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës, që do sjellte edhe fundin e kontestit të emrit mes dy fqinjëve.

Kjo çështje u tejkalua, por momenti më i vështirë i Kotzias ishte arritja e dy të tretave të deputetëve të Maqedonisë (së Veriut) për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese. Këto numra nuk i kishte Zoran Zaevi, andaj i duheshin renegatë. Deputetët opozitarë u strukën nga drejtësia dhe u kërcënuan me ecuri korruptive.

Gazeta greke e cituar nga FAZ, „Eleftheros Typos“ thotë se Kammenos ka akuzuar Kotzias se ka rrëmbyer 45 milionë euro nga “kasafortat sekrete”, kurse Kotzias u përgjigj: “unë kam 11 milion euro nga kasafortat sekrete, prej të cilave gjysma janë për kishën.”

Kotzias në lidhje me 50 milion eurot e Sorosit thotë se “akuzat e Kammenos janë të pavërteta, pasi Sorosi ka institucionet e tij në Maqedoninë Veriore dhe s’kishte pse ti mi dërgonte mua 50 milion euro për ti blerë deputetët.” Më tej Kotzias shtoi bile se as nuk e ka takuar Sorosin dhe se nuk ka përdorur kanalet e tij për t’ua dërguar paratë deputetëve të Maqedonisë, siç akuzonte Kammenos.

Shumë persona akuzojnë në fakt Kammenos, i cili në janar dha dorëheqje si protestë ndaj Marrëveshjes së Prespës, se po (keq)përdorte rastin për të arritur mbështetje te elektorati grek që të kalonte pragun e 3 përqindëshit.

Loja nuk përfundon këtu

Për shkak të akuzave, Kotzias paditi ish kolegun e tij Kammenos për fyerje, shpifje dhe kërcënim. Korzias tregon bile edhe një sms në telefonin e tij të datës 15. korrik 2018: “mjaft më me daljet tuaja nëpër media dhe përmendjen e partisë sime Anel. Nëse edhe njëherë përmend Anel-in, atëherë do ta nxjeri maskën publikisht…”. Ngjashëm e ka kërcënuar në 30 shtator. Por Kammenos pretendon se ka mjaft argumenta për keqpërdorimin e parave greke nga Kotzias, për blerjen e mediave dhe politikanëve në Shkup.

Kasaforta të zeza ka në çdo vend

Më tutje media gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung thekson se kasafortat e zeza ose siç quhen rëndom sekrete, ka në çdo vend, bile edhe në Gjermani, që përdoren për raste të veçante.

Një shembull nga Gjermania merret përdorimi i fondeve sekrete në politikën ballkanike të viteve 90-ta. Sipas FAZ, qeveria gjermane me valixhe plot pare nga fondet sekrete kishte mbështetur sistematikisht opozitën kundër diktatorit Slobodan Miloshevic.

Prestigjiozja gjermane nuk ndalet këtu por tregon edhe më konkretisht sesi paratë gjermane kishin financuar organizatën rinore „Otpor“, por edhe kryeministrin e mëvonshëm serb Zoran Gjingjiq – të vrarë gjatë detyrës. Këto dy organizata serbe merrnin para edhe nga shtetet tjera perëndimore.

“Filozofia jonë ishte e qartë: nëse Millosheviq merrte para nga Rusia dhe burime tjera, është e drejtë dhe e lirë, nëse ne ndihmojmë forcat tjera që luftojnë për demokraci,” sqaron një burim anonim nga Gjermania.

Rasti i Luftës së Kosovës dhe Greqia

Tsipras Zaev-konica.al

Dihet se gjatë Luftës së Kosovës, qeveria greke e Giorgos Papandreou, ngjashëm kishte përdorur fondet sekrete. Dihej se për shqiptarët e Kosovës më të urryerit e forcave të KFOR-it ishin rusët dhe grekët, që përbënin rreth 1200 pjesëmarrës.

“Atëkohë, ushtarët grekë frikësoheshin nga ndonjë dhunë e mundshme e radikalëve shqiptarë. Për këtë ishte e rëndësishme, që të mundësonim një frymë pozitive për trupat tona. Atëherë rrjedhën para nga fondet e ministrisë së jashtme,” thotë një ish pjesëmarrës grek.

Si shembull të kësaj politike pragmatiste merret edhe krimineli serb Vanja Bokan, i njohur për kontrabandën e cigareve gjatë viteve 90-ta, që më pas u natyralizua si grek. “Partner është ai që është në shfrytëzim.” Ai u përdor për këto fonde sekrete, derisa më pas u vra në villën e tij në Athinë në 2000 (me gjasë duhet të ketë përfunduar misionin!).

“Ne deshim të jemi të dashur të shqiptarët – veçanërisht kundrejt tyre ku patrullonin trupat tona,” thotë një ish përfaqësues grek në Kosovë.

Fondet e sotme?

Një pjesë e madhe e fondeve të ministrisë së jashtme greke shkojnë edhe te Patriarkana e Stambollit, me një shifër të njohur koduese. Për këtë është e njohur natyrisht Turqia, por nuk reagon pasi edhe ajo vetë “investon” mjaft në Greqi. Në juglindje të Greqisë, ku jetojnë një shumicë muslimane, Ankaraja dhe Athina prej dekadash luftojnë për blerjen e imamëve me para – një lufte financiare.

“Konsullata gjenerale turke në Komotini jep shumë para për të fituar besnikërinë e imamëve në rajon. Ministria tonë e jashtme tenton, që ti kundërpërgjigjet kësaj me zyrat tona politike në Xanthi dhe Komotini. Gjithsesi është një luftë e pabarabartë, pasi Turqia ka më shumë para sesa neve,” thotë një burim grek për FAZ.net.

Disa imamë “shfrytëzojnë” rastin dhe marrin para nga Ankaraja dhe Athina, por në fund më besnik i mbesin Rexhep Taip Erdoganit.

Kotzias pranon se ekzistojnë kasafortat sekrete dhe këto para përdoren për të “ndikuar jashtë shtetit” por edhe se një pjesë e madhe e parave shkojnë për kishat. Ai nuk jep detaje shtesë.

Disa burime në Athinë thonë se edhe media maqedonase „Nezavisen“ është ‘mbështetur’ me para greke. Mëpërpara kjo media merrte fonde hungareze që ishte mbështetëse e Gruevskit dhe kundër zgjidhjes së kontestit të emrit. Në fund, pasi paratë greke duhet të kishin qenë më të majme se ato hungareze, “Nezavizen” loboi për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Me të drejtë media gjermane në fund thekson se në Maqedoninë e varfër është thuajse e pamundur të fitosh para me botimin e një gazete. Por kjo arrihet falë ndihmës së jashtme.

Ajo që mbetet nga debati i Kammenos me Kotzias është ky shkrim këtu, pasi ngritja e ecurisë penale nëpër gjykata greke dështoi. Asnjëri nuk e votoi në parlamentin grek për ngritjen e një komisioni hetuesie. Jo më kot quhen rëndom fonde sekrete. Populli pak di, por ka arritur të kuptojë falcitetin e politikanëve tanë./Foldrejt.com