Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka mbërritur në lindjen e Rusisë për një samit me presidentin Vladimir Putin. Kim arriti me tren në qytetin bregdetar të Paqësorit të Vladivostokut për bisedimet e para me presidentin rus, të cilat pritet të fillojnë të enjten.
Rusia thotë se ata do të diskutojnë “problemin bërthamor” të gadishullit Korean, por Kim gjithashtu thuhet se kërkon mbështetje pasi bisedimet me SHBA kanë dështuar.
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Kim u takuan në Hanoi më parë këtë vit për të diskutuar programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, por takimi i tyre i dytë përfundoi pa marrëveshje.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut përshëndeti zyrtarët rusë me ngrohtësi në ardhjen e tij në Vladivostok.
Pas shijimit të bukës tradicionale dhe kripës, Kim vazhdoi vizitën. “Unë arrita në Rusi duke mbajtur ndjenjat e ngrohta të popullit tonë dhe siç e thashë, shpresoj që kjo vizitë të jetë e suksesshme dhe e dobishme”, tha Kim për televizionin rus më parë, pasi kishte kaluar kufirin në Khasan.
“Shpresoj që gjatë bisedimeve me Presidentin e respektuar Putin, unë do të jem në gjendje të diskutoj në mënyrë konkrete çështjet lidhur me zgjidhjen e situatës në gadishullin Korean dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona bilaterale”.
Samiti do të mbahet të enjten pasdite rreth orës 13:00 (03:00 GMT) në ishullin Russky, menjëherë pas Vladivostok, citohet të ketë thënë zëdhënësi presidencial rus Dmitri Peskov nga agjensia e lajmeve Interfax të Rusisë.
Sipas zëdhënësit të tij, Kremlini beson se bisedimet me Korenë e Veriut, të cilat aktualisht janë të bllokuara, janë e vetmja mënyrë efikase për të trajtuar çështjen e armëve bërthamore në gadishullin Korean. Këto bisedime, të cilat filluan në vitin 2003, përfshijnë dy Koretë si dhe Kinën, Japoninë, Rusinë dhe SHBA-në.
“Tani nuk ekzistojnë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë efikasë”, u tha Peskov gazetarëve. “Por, nga ana tjetër, përpjekjet janë duke u bërë edhe nga vende të tjera. Këtu të gjitha përpjekjet meritojnë mbështetje për sa kohë që ato me të vërtetë synojnë denuklearizimin dhe zgjidhjen e problemit të dy Koreve”.
Kjo vizitë po gjykohet gjerësisht si një mundësi për Korenë e Veriut për të treguar se ka aleatë të fuqishëm pas bisedimeve bërthamore me SHBA në fillim të këtij viti, thotë Laura Bicker e BBC.
Vendi ka fajësuar Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo për dështimin e samitit të Hanoi në shkurt.
Më parë këtë muaj, Koreja e Veriut kërkoi që Pompeo të largohej nga bisedimet, dhe ka kërkuar “dikë më të kujdesshëm” për ta zëvendësuar atë.
Samiti është gjithashtu një mundësi për Pyongyangin të tregojë se e ardhmja ekonomike nuk varet vetëm nga SHBA. Kim gjithashtu mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi Moskën për të lehtësuar sanksionet.
Analistët besojnë se ky samit është një shans për Rusinë që të tregojë se është një lojtar i rëndësishëm në gadishullin Korean.