Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të kontribuonte në një Evropë të fortë e të stabilizuar.
Kryetarja e Parlamentit letonez, Inara Murniece, gjatë konferencës së përvitshme të krerëve të parlamenteve në Vjenë deklaroi se duhet të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Blloku duhet të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në muajin qershor, e ta njohë punën e madhe të bërë nga të dyja këto vende në drejtim të reformave demokratike.
BE duhet të jetë aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të asistuar reformat demokratike, e për të parandaluar kërcënimet dhe dezinformimin. Po i shohim cilat janë qëllimet e luftës së informacionit nga Kremlini”, deklaroi Murniece.
Më tej, ajo shtoi se për të bërë realitet përpjekjet e integrimit, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë me reformat.
“Megjithatë, për t’i bërë realitet përpjekjet e integrimit në vendet e rajonit është e rëndësishme që ata të vazhdojnë reformat, të rrisin lirinë e medies, të mbështesin pozicionet e bllokut në çështjet e jashtme e të krijojnë marrëdhënie të mira fqinjësore”, theksoi Kryeparlamentarja.
Konferenca, që përmbylli takimin e mbajtur në datat 8 dhe 9 prill në Vjenë, bëri thirrje për vazhdimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke iu referuar rritjes së pranisë së aktorëve të jashtëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kinës, Brukselit iu drejtua apeli që të vazhdojë promovimin e vlerave të veta dhe të mbrojë interesat e tij në rajon, sepse siç thanë pjesëmarrësit, ky është një investim në paqe, demokraci dhe siguri.