MENU
klinika

Kërcënim për Amerikën

Koreja e Veriut po teston një armë të re

18.04.2019 - 12:43

Koreja e Veriut  ka testuar një armë të re “taktike”, testi i parë i tillë pasi bisedimet midis Donald Trump dhe Kim Jong-un përfunduan pa marrëveshje.

Media shtetërore dha disa detaje, por analistët thonë se kjo nuk ka të ngjarë të jetë një kërcënim për SHBA. Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA), testi u mbikqyr nga vetë Kim Jong-un.

KCNA raportoi se testi ishte “kryer në mënyra të ndryshme”, dhe analistët besojnë se arma mund të lëshohet nga toka, deti ose ajri.

Kim tha se zhvillimi ishte “me rëndësi shumë të madhe në rritjen e fuqisë luftarake të Ushtrisë Popullore”. Raporti dha pak detaje të tjera, kështu që nuk është e qartë nëse kjo ishte një lloj rakete, por shumica e vëzhguesve bien dakord se kjo ishte një armë me rreze të shkurtër.

Një test i ngjashëm nëntorin e kaluar shihej si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj SHBA. Ka patur pak përparim në bisedimet bërthamore që nga samiti i fundit.

Në shkurt, Donald Trump dhe Kim Jong-un u takuan në kryeqytetin vietnamez Hanoi për të diskutuar denuklearizimin, por diskutimet u ndërprenë dhe të dy liderët u larguan papritmas.

Javën e kaluar, Kim tha se Trump duhet të kishte “qëndrimin e duhur” për të vazhduar bisedimet. Vitin e kaluar, kreu i Koresë së Veriut tha se do të ndalonte testimet bërthamore dhe nuk do të lëshonte raketa balistike ndërkontinentale, pasi aftësitë bërthamore të Phenianit ishin “verifikuar”. Sidoqoftë, aktiviteti bërthamor duket të jetë i vazhdueshëm.

Kjo do të thotë që Kim Jong-un nuk po e mban premtimin e tij. Ndoshta kjo nuk është një sfidë e drejtpërdrejtë për Donald Trump. Por kjo mund t’i paralajmërojë amerikanët se çfarë mund të ndodhë nëse një marrëveshje nuk arrihet së shpejti.

Kjo është një kujtesë se Koreja e Veriut po vazhdon të krijojë armë pavarësisht përballjes me sanksione të ashpra ekonomike.

Le të mos harrojmë se kjo situatë i dërgon një mesazh njerëzve të Koresë së Veriut. Ka njoftime se shteti po përballet me mungesa ushqimore. Kim Jong-un duhet të mbledhë njerëzit e tij dhe burimet e tij. Një shfaqje e forcës ushtarake dhe një kujtesë se ata përballen me një armik të përbashkët do ta ndihmojnë këtë.

Në komentet e tij më të fundit, Kim i kërkoi zotit Trump të vazhdojë një marrëveshje që ishte “reciprokisht e pranueshme”, por gjithashtu foli për lidhjet e tij të shkëlqyera me udhëheqësin e SHBA. Trump gjithashtu mirëpriti idenë e një samiti tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN