MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

Kur Ali Pashë Tepelena mund të krijonte miniperandorinë shqiptare!

02.04.2019 - 15:55

Janë do konsiderata shtrënguese pse sundimtari i hekurt i Shqipnis’ virtualisht të mosvarme (1800-1822) meriton me qenë personaliteti ma i randsishëm mas Skënderbeut:

• Edhe mohues e ekzorcistë të nacionalizmit shqiptar, si Nathalie Clayer, e pranojnë që nji sens modern i shqiptarizmës u ndje për herë të parë në kohë të Ali Tepelenës. Në nji memorandum të vitit 1880, sulltan Abdyl Hamiti e përmendte Aliun si shkaktar të “fikr-i fesat” (idesë ngatërrestare), siç e quente ai, pavarësinë shqiptare.

• Aliu jetoi në nji kohë kur dinamikat e jashtme e të brendshme po e politizonin religjionin brenda Perandorisë Osmane. I vetëdijshëm për këtë, ai i kundërvihet Portës tu i jep shtrojerë bektashizmit gati të nxjerrun jashtë ligjit nga sulltanët.

• Poliarkisë së bejlerëve e agallarëve myslimanë Aliu iu përgjigj me dorë të hekurt. Për herë të parë, Shqipnia pati nji ushtri të vetën (Holland-i e vlerëson deri në 30 mijë), me bazë në Janinë, e që mbulonte nji hapësinë prej Manastirit, Larisës e Trikallës (Thesali) deri në Korinth.

• Nëse Evropa e kohës mahnitej me artin dhelpërak të Talleyrand-it, Aliu diti me i manipulu diplomatikisht francezë, britanikë e rusë në nji lojë nervash që, në fund, siguroi asedancinë shqiptare në Jon.

• Prej banditit në pashë, qysh thotë historiani grek Skiotis, e prej pashës në jakobin, qysh thotë historiani francez Beuchamp, Aliu u ba sundimtari ma i fuqishëm i pamvarun në Ballkan kurse Shqipnia e jugut hisedare e nji prosperiteti e stabiliteti impozant (Janina kishte shkolla, biblioteka e qendra kulture në nji kohë kur Beogradi kishte veç xhami e Athina ishte “fshat i ndyrë shqiptar” siç e quente Shatobriani). Ai sigurisht se nuk i pati resurset e Napoleonit a Aleksandrit, ai s’pati flotën e Nelsonit e as sqimën e Meternikut, por ai pati nji realitet shqiptar para vetës që diti me e kuptue aq mirë. Dhe kur po i ngryste ditët e fundit, në kështjellën mes liqenit t’Janinës, Aliu me agjentët e tij synoi që luftën me e çu para portave të Stambollit përmes nxitjes së popujve ortodoksë në kryengritje antiosmane.

miniperandoria e ali pashe tepelenes-konica.al
miniperandoria e ali pashe tepelenes-konica.al

• Aliun duhet me e interpretue përtej interpretimeve. Në kohën e orientalizmit viktorian, gjithçka shqiptare e gjithçka e Aliut shihej si antinomi e moralit evropian: evropiani i qytetnuem dhe i moralshëm kundrejt shqiptarit të pagdhë e të pamoralshëm (absurdi shkonte sa nana e Aliut përshkruhej me tipare maskuliniste kurse Aliu përshkruhej si tepër feminin). Të tjerë, me frymëzime libertine, e zymtësonin Aliun si epitomë e tiranisë. Po cili duhet me qenë vlerësimi shqiptar për Aliun? Rilindësit, për arsyeje që merren me mend, e përmendnin shpejt e me drojë. Sami Frashëri në enciklopedinë e tij i kushton pak vëmendje. Mas LDB, historianët komunistë e rimarrin Aliun a thue se te ai regjimi kërkonte legjitimitetin moral e historik për nji dorë të hekurt.

• Sikur fati me i pas lu letrat ndryshe, shqiptarët, thotë T. Winnifrith, kishin me e pas të parët shtetin e tyre kombëtar në Ballkan. Ndodhi seni ma bizar që mund të përfytyrohej: shtypja e shtetit semi-indipedent shqiptar solli kryengritjen në More e Egje, e 10 vite ma vonë, shtetin grek.

Aty ku, siç thoshte K. Çekrezi, e pati vendin nji “mini-perandori shqiptare” me kufij nga Hercegovina deri në Egje e Peleponez.