Lëvizja Vetëvendosje do të jetë zyrtarisht edhe në Shqipëri, por e regjistruar si organizatë jo-fitimprurëse.
Drejtuesit janë shprehur se OJF-ja orientohet në vlerat sociale dhe kombëtare që përfaqëson kjo forcë. Lëvizja Vetëvendosje duket se ka hedhur një tjetër hap drejt prezencës së saj në Shqipëri, ndërsa përfaqëues të kësaj force politike kanë bërë kërkesë për hapjen e një organizate jo-fitimprurëse.
Elvis Hoxha, në një postim në rrjetin social Facebook, lajmëroi se Kryetar i Bordit përmes një vendimi unanim është pëcaktuar Enis Sulstarova, për të vijuar me antarët: Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj. Ndërkaq, Drejtor Ekzekutiv do të jetë Boiken Abazi.
Mundësia e përfshirjes së Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike shqiptare është lakuar shpesh herë si mundësi edhe nga lidershipi i kësaj force politike.
Këta të fundit nuk e kanë mohuar mundësinë e gjetjes së terrenit, duke e arsyetuar këtë alternativë me rënien e besimit tek partitë tradicionale. Ndërkaq, kërkesa për t’u regjistruar si OJF, përbën hapin e parë ligjor drejt një nisme të tillë.
Rreth diskutimeve nëse përmes kësaj rrugë po shkohet drejt formimit të strukturave partiake në Shqipëri, zyrtarë të lartë të VV-së janë shprehur se deri në këto momente do të operohet vetëm me OJF-në, e cila natyrisht do të shtrihet drejt kauzave të njohura sociale dhe kombëtare që përfaqëson kjo forcë politike.
Ndërkohë, dëshira për të hapur degë në tiranë dhe në qytetet e tjera nuk mohoet.