MENU
klinika

Si festohet dasma në katër faza

Manifestimi i veçantë i traditave mirditore

09.04.2019 - 15:22

Folklori i pasur i trevës së Mirditës, pa dyshim përbën një nga pasuritë më të rëndësishme turisike të zones. Një prej traditave të hershme, që respektohet ende sot konsiderohet dasma tradicionale e Mirditës.

Dasma mirditore është një ndër manifestimet më të veçanta të traditave të shumta e të pasura mirditore. Ndryshe nga travat e tjera, ku dasmat, përgjithësisht, nisin tri ose katër ditë përpara, dasma mirditore frillon me momentin e nisjes se krushqëve për të marrë nusen.

Faza e parë: Në shtëpinë e dhëndrit

 

Në këtë fazë ndihet humori i hollë dhe gëzimi i kësaj dite të shënuar. Kjo vihet re qysh me ardhien e kafexhiut, të cilit gratë e shtëpisë i këndojnë këngën e kafexhiut:

Mirë se vjen kafexhi
Na piq kafen sheqerli
Se sheqerin e kem gani
Se na kem dugajen ne ship
Mos qit nja po qit dy
Mbushja mere barkun bardakut

Gjatë kohes që kafexhiu ka vënë punën në vijë, gratë fillojnë ta ngacmojnë përsëri duke i kënduar:

Kafexhi more dembel
je ndry brënda e nuk po del
me na pru xhezmen me kafe
po bajm gaz e po bajm llafe

Mbas kafexhiut u vjen radha desharëve. Desharet janë miqtë më të afert të familjes. Një nga dhuratat e shumta që ata sjellin në shenjë respekti dhe dashamirësie është dashi, për shkak të të cilit ata kanë marrë edhe emri desharë. Kjo dhuratë jo vetëm që është simbol mirësie, respekti por edhe një ndihmë ekonomike për familjarët, të cilët duhet t’i presin edhe me gosti miqtë e të ftuarit. Gjatë ardhjes së desharëve, gratë e shtëpisë, ashtu si në momente të ndryshme të dasmës, u dalin përpara desharëve. Të ndarë në dy grupe ato fillojnë t’u këndojnë atyre:

Kush asht ai që vjen me dash
vjen N.N bylykbash
bylykbash edhe zotni
paska teshat qepë n’terezi
cka na pruni për dhunti
pru një dash e një flori
shtoja zot tufen e tij
banja zot njëqind a nje mijë

Kështu priten të gjithë desharët që vijnë në cermoninë e dasmës. Një ndër zakonet e këtij momenti të dasmës, është se gjatë kohë që miqtë dhe të ftuarit vijnë njëri pas tjetrit, dhëndërri nuk duhet të jetë në shtëpi, por i fshehur diku gjetkë, pasi, sipas zakonit, është turp që ai të shikohet gjatë kësaj kohe.

Faza e dytë: nisja e krushqve

Faza e dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e krushqve dhe nisjen e tyre drejt shtëpisë së nuses. Ky moment është nga më të spikaturit në të gjithë rrjedhën e dasmës. Si në të gjitha çastet e përcaktuara, as ky moment nuk kalon po u këndur nga gratë, të cilat luajnë një rol të madh në këndimin e këngëve të dasmës:

Udha e mbarë o krushku i parë
Na bje nuses fort të bardh
Udha mbarë o krushku i dytë
Na bje nusen buk të ngryjt
Udha e mbarë o krushku i tretë
Na bje nusen si je vetë
Udha e mbarë kur të shkoni
Nuses tonë ju ti thoni
Hajde shpejt se të pret sokoli
Po të pret i sokol me flet
Babë e nanë ke me i gjetë

Në nisjen e tyre burrat e shtëpisë, në shenjë gëzimi dhe hareje, nuk e lenë pa e zbrazur një pushkë, duke respektuar kështu atë që kërkon zakoni. Krismat e pushkëve ndërthuren me këngët e grave, të cilat vazhdojnë të këndojnë deri me largimin e krushqve.

Faza e tretë: në shtëpinë e nuses

Faza e tretë e dasmës mirditore zhvendoset në shtëpinë e nuses. Edhe në këtë moment, zakonet dhe doket rrjedhin dhe festohen si tek shtepia e dhëndërrit. Ndryshojnë vetëm krushqit, pasi, siç dihet, në shtëpinë e nuses nuk ka krushq. Edhe tek nusaj vjen kafexhiu, këndohen këngë, kërcehen valle, priten miqtë dhe dashmenët, pra gëzohet njëlloj si në shtëpinë e dhëndrit.

 

 

Ashtu si dhëndërri që rrinte fshehur, zakoni e kërkon që edhe nusja të Ntë mos shfaqet në sytë e “botës”, sidomos të burrave. Në mbrëmje vijnë krushqit, për pritjen e të cilëve i zoti i shtëpisë ka caktuar një njeri për t’u dalë përpara. Personi i caktuar me këtë detyrë duhet t’i njohi mirë zakonet e dasmës dhe t’i shoqëroje krushqit sipas traditës. Krushqit nuk duhet të hyjnë tek nusja, ata duhet ta shikojnë atë vetëm në nisje, pra në mëngjes. Më pas shtrohet sofra dhe teksa miqtë janë e pinë, i zoti i shtëpisë dhe krushku i parë dalin nga dhoma për të vazhduar zakonin, për të nxjerrë pajën e dërgur nga dhëndërri: duvakun, strenglat, opingat etj. Të gjitha këto momente shoqërohen me këngë dhe valle përkatëse.

Faza katërt: kthimi i krushqve

Faza tjetër dhe e fundit është kur krushqit, së bashku me nusen, kthehen në shtëpinë e dhëndërrit. Kur afrohen pranë shtëpiusë ata nisin sihariqin, i cili duhet t’u japë lajmin i pari, që krushqit janë afer dhe që nusja po i afrohet shtëpisë. Gratë, qδ ne kete rast janë te parat që e marrin lajmin, mblidhen dhe ndahen në dy grupe që t’ia nisin këngës dhe valles së sihariqit. Një nga këngët më të spikatura është kjo e mëposhtmja:

Sihariq o ndalu n’udhe
Sa t’na vishet dhëndërri në kullë
Sihariq o ndalu n’udhë
Sa t’marrë armët dhandri n’kullë
Dhandërr o kulmi i shtëpis
Niqe mendjen e djelmnis
Tash kij mendjen e burrënis
Sot ke hy në një tjetër vath
Mbi ty varet ajo vash

 

 

Në këtë moment të dasmes, të gjithë njerëzit e familjes, miqtë e ftuarit, dalin e presin sihariqin dhe ardhjen e nuses. Sihariqi, si lajmëtari i parë, mbasi ka kthyer dy tre gota raki dhe ka ngrënë petulla me mjaltë, ashtu siç e ka zakoni, niset t’u dalë përpara krushqve për t’u hyrë në shtëpi së bashku me ta. Çasti kur krushqit i afrohen shtëpisë nuk kalon pa krismat e pushkëve: armët shkrepen nga dhëndërri dhe miqtë. Kur vjen nusja në oborr, ashtu si në momentet e tjera, gratë fillojnë ritualin e tyre të këndimit dhe të vallës.

Nusja jonë urish si bleta
Krushkut t’parë o ju ngjat jeta
Që po vjen me duer xhepa
Tue derdh moll tue derdh sheqera

Kjo këngë përseritet disa here për të përshëndetur dhe respektuar të gjithë krushqit me radhë, te cilet rrinë ulur ne oborr duke pritur ritualin e rradhes. Ndërkohë gratë e shtëpisë merren me nusen, e cila kryen sipas zakonit të gjitha ritualet e nuserisë, duke filluar nga mbeshtetja tek muri i shtëpis dhe duke i kaluar rreth kokës se saj tri herë kularin e kalit. Më pas rituali vazhdon me derdhien e sheqerit dhe grurit përpara derës kur hyn nusja, sheqeri për të treguar ëmbëlsinë e nuses dhe gruri për të sjellë begati. Pas këtij rituali, i cili vëzhgohet nga të gjithë miqtë, të ftuarit dhe familjarët, fillojnë të shtrohen sofrat. Sofra e krushqëve është sofra e parë. Në këtë sofër, sipas zakonit krushku i parë merr çiftelin dhe ja fillon këngës.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vallet e kënduara shkodrane

“Hajde lule moj shebojë”