Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një kallëzim penal ndaj Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Policisë së Shtetit.
Regjistrimi i kallëzimit penal ka ardhur pas një padie të Partisë Demokratike në 18 mars.
Në padinë e depozituar nga sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi policia akuzohet për veprime në shkelje të ligjit.
Sipas selisë blu, Policia e Shtetit ka shpërdoruar detyrën në protestat e zhvilluara nga 16 shkurti deri në 16 mars.
Për Partinë Demokratike përdorja e gazit lotsjellës dhe ujit me presion për të shpërndarë protestuesit është në shkelje të ligjit dhe tej kompetencave ligjore.
Me këto veprime sipas PD, policia nuk ka pasur synim zbatimin e ligjit por pengimin e zhvillimit të protestës.
Mbi këto pretendime të partisë demokratike prokuroria e Tiranës, ka regjistruar kallëzimin penal ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Policisë së Shtetit.
Prokuroria pritet të hetojë mbi veprimet e policisë gjatë protestave të opozitës.
Gjithashtu në organin e akuzës është thirrur për të dhënë sqarime të mëtejshme dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Ai pritet të paraqitet në prokurorinë e Tiranës të hënën në orën 12:00, pas thirrjes nga oficeri i policisë gjyqësore.