Air Albania nis sot fluturimin. Destinacioni i parë është Turqia. Në mbrëmje në orën 20.55 nga Tirana pr në Stamboll. Në tabelën e nisjeve reale të Aeroportit të Rinasit është shënuar fluturimi ZB 1003, me destinacion Stambollin.
Air Albania ndërkohë nuk ka një faqe interneti dhe si rrjedhojë është e pamundur që të shikosh oraret e skeduluara dhe çmimet e biletave. Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bënë të ditur se Air Albania tashmë i ka kaluar të gjitha fazat e certifikimit dhe është një kompani private dhe për çdo info duhej folur me kompaninë, e cila nuk mund të kontaktohej në numrin e telefonit që kanë lënë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kompania reklamoi së fundmi në media se Air Albania do të niste fluturimet në 19 prill.
Ministrja e Industrisë dhe Energjisë, Belinda Balluku pohoi se deri në fund të prillit do të nisin fluturimet edhe në tre destinacione të Italisë, Romë, Bolonjë dhe Milano. Destinacion tjeter eshte edhe Londra në një moment të dytë.
Çmimet drejt Stambollit
Duke qenë se për momentin nuk mund të blesh një biletë drejt Stambollit me Air Abania, pamë biletat në sistemin e Turkish Airlines. Nëse një qytetar do të fluturojë për në Stamboll nga Tirana të martën në datë 23 në sistem bileta e tij kushton 321.5 euro.
Nëse zgjedh të mërkurën çmimi vetëm për vajtje zbret në 145.5 euro që është edhe çmimi më i lirë i gjithë javës për të vijuar të enjten me 165 euro apo të premten me 321.5 euro dhe po kaq edhe të shtunën.
Përgjatë javës së parë dhe të dytë të majit biletat janë të fikusra në 145 euro çka tregon që kjo do të jetë mesatarja e një fluturimi për kompaninë. Kur rezervimi bëhet për një rrugë vajtje ardhje në datat 23 dhe 27 prill çmimi për fluturimin nga Tirana në Stamboll rezulton 263.5 euro ndërsa kthimi 114 euro duke dhënë një total prej 378.5 euro.
Nëse zgjedh që të bësh një fluturim nga Stambolli për në Tiranë në datën 23 prill çmimi për biletën është 307 euro. Nëse kthimin e zhvendos në një datë tjetër për shembull 7 maj 2019 çmimi i biletës është 155.05 euro.
Në 16 qershor të vitit të shkuar , Qeveria përcaktoi për herë të parë procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania” e cila do të operojë në fushën e transportit ajror.
Tre ortakët e saj, sipas të njëjtit vendim, janë “Albcontrol”, sh.a., që përfaqëson palën shtetërore shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, sh.p.k. Kompania u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në 13 shtator ku qartësohej edhe pjesa e aksioneve që zotëronte secila palë.
Kështu “Albcontrol” zotëron 10 për qind të aksioneve, 41 për qind “MDN Investment” dhe “Turk Hava Yollari A.O” 49 për qind.
“Air Albania” është cilësuar në deklaratat e Kryeministrit si një linjë që do të ofrojë çmime loë cost për disa destinacione ku i pari do të jetë Stambolli.
Në një dokument të Autoritetit të Konkurrencës të pak kohëve më parë ku bëhej edhe vlerësimi i përqendrimit bëhej e ditur se destinacionet e tjera pas Stambollit do të jenë Roma, Bolonja dhe Londra.