Kjo fotografi e Ndoc Çobajt bashkë me familjen e tij, është realizuar në studion e Kel Marubit.
Ndoc Çoba ka qenë veprimtar politik, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, Ministër i Financave dhe kryetar i bashkisë së Shkodrës. Ai ishte arrestuar nga regjimi komunist dhe kishte vdekur në burg pas torturave.
Në vitin 1908, Çoba u zgjodh kryetar i klubit “Gjuha Shqipe”. Në vitet 1909 – 1910 ishte drejtor i përgjithshëm i doganave shqiptare. Më 1918 merr pjesë në Kongresin e Durrësit, duke luftuar për kufijtë politikë caktuar në Konferencën e Londrës. Ndoc Çoba Ishte përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, në vitin 1920 dhe në qeverinë që doli nga ky kongres mori detyrën e Ministrit të Financave. Ndërmori reforma financiare të panjohura më parë në Shqipëri, siç ishte ajo e forcimit të arkës së shtetit përmes huasë shtetërore në popull.
Po ashtu, Çoba botoi gazetën “Ora e maleve” deri në fund të muajit janar të vitit 1923, që ishte zëri në shtyp i grupit politik me po të njëjtin emër dhe përfaqësonte deputetët e opozitës së kohës.
Paralelisht me bashkëshortin, zonja e tij Marie Çoba, ishte feministja e parë shqiptare dhe themeluese e organizatës “Gruaja Shqiptare”.
Marie Çoba, botonte artikuj që mbulonin çështjet e grave duke mbajtur pseudonime të ndryshme. Është e njohur për ndihmesën në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, si dhe për kontributin dhe aktivitetin e gjerë për emancipimin e gruas shqiptare.
“Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza, ashtu si me djem, vendi ynë do të radhitet në vendet e qytetëruara”.